Përballje

Rikthehet Liga e Kampionëve me fazën gjysmëfinale


Gara me e rëndësishme për klube në Evropë, Liga e Kampionëve, do ë rikthehet sonte (e martë) me ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Takimi i parë gjysmëfinal dhe njëkohësisht ai më interesanti do të zhvillohet mes Manchester City-t dhe Real Madrid-it, që do të fillojë si zakonisht në ora 21:00.

Sa i përket ballafaqimeve mes këtyre dyja skuadrave, nuk duhet shumë kohë për ta përkujtuar.

Për herë të fundit ato u takuan në fazën e 1/8-ve të finales së Ligës së Kampionëve të sezonit 2019/20, ku anglezët i fituan të dyja takimet me rezultat identik 2:1.

Ndërsa në total Manchester City dhe Real Madrid janë përballur tetë herë mes tyre, ku nga tri fitore kanë secila, ndërsa dy takime kanë përfunduar në barazim.

Sa i përket ardhjes në gjysmëfinale, Manchester City gjatë rrugës eliminoi Sporting Lisbonën dhe Atletico Madrid-in.

Ndërsa Real Madrid gjatë rrugës ka eliminuar Paris Saint Germain dhe Chelsea-n.

Sa i përket arritjes në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve, skuadra e Real Madrid-it mban një rekord absolut, ku kjo do të jetë gjysmëfinalja e 31-të në historinë e tyre.

Ndërsa anglezët e City-t do të marrin pjesë vetëm për herë të tretë në një gjysmëfinale të këtij turneu, ku njërën prej tyre u eliminuan pikërisht nga kundërshtari i sotshëm, në sezonin 2015/16.

Sa i përket formës në ligat e tyre përkatëse, dyja skuadrat mbajnë lidershipin, ku Real-i tashmë thuajse ka siguruar titullin në La Liga, ku i nevojitet vetëm edhe një pikë për ta festuar.

Ndërsa Manchester City është duke zhvilluar një garë të ashpër me Liverpool-in të cilat i ndanë vetëm një pikë në klasifikim.

Sa i përket formacioneve, trajneri i anglezëve, Pep Guardiola do të jetë pa Joao Cancelo-n që ka karton të kuq, ndërsa në dyshime janë Kyle Walker, Kevin de Bruyne dhe John Stones.

Në anën tjetër, homologu i tij, Carlo Ancelotti do të jetë vetëm pa Eden Hazard-in.

Formacionet e mundshme:

Manchester City: Ederson, Walker, Dias, Laporte, Ake, Gundogan, Rodri, De Bruyne, Mahrez, Sterling, Foden.

Real Madrid: Courtois, Mendy, Alaba, Militao, Carvajal, Kroos, Casemiro, Modric, Vinicius, Valverde, Benzema.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore