Lajme

Rihapja e urës së Ibrit, Dreçun: “Po hapet rruga për dëbimin e serbëve nga veriu”


Milovan Dreçun

Kryetari i të ashtuquajturit “Komision për Kosovën” në Parlamentin e Serbisë, Milovan Dreçun, në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, konsideroi se me rihapjen e urës në Ibër “do t’u hapet rruga shqiptarëve që të tentojnë të dëbojnë serbët, të shkaktojnë destabilizim, me një inkursion masiv në veri”.

“Të kujtojmë vetëm ngjarjet që nga ardhja e forcave ndërkombëtare. Të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për të depërtuar në veri të Kosovës, për ta pushtuar literalisht atë, dhe për të dëbuar serbët kaluan mbi atë urë”, pretendoi Dreçun.

Sa i përket urës mbi lumin Ibër, korrieri kryesor i propagandës serbe, tha se në veri ekzistojnë edhe ura të tjera që nuk paraqesin asnjë problem për lëvizjen e lirë të qytetarëve, por se, siç tha ai, kjo është më e rëndësishme për shqiptarët.

“Ju kujtohen protestat masive ku ishin me mijëra e mijëra shqiptarë, mes tyre edhe shumë ekstremistë që hapën zjarr me automatikë mbi serbët. Ata qëlluan nga snajperët nga pjesa jugore e Mitrovicës, të gjitha me qëllim që të kalojnë atë urë”, tha Dreçun.

Kur ka folur për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, ai vlerësoi se rrethanat e reja pas rezultateteve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës, e pamundësojnë themelimin e këtij mekanizmi.

“Së pari, duhet të arrijmë një marrëveshje për statutin, i cili do të jetë në rend dite, dhe më pas të fillojmë zbatimin e tij. Edhe nëse arrihet një marrëveshje, ambienti politik i krijuar rishtazi në veri do të duhet të ndryshohet dhe kjo do të thotë që rezultatet e zgjedhjeve duhet të anulohen”, tha ai.

Në krye të agjendës së takimit të nivelit të lartë në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, do të jetë themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Emisari Special i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në një intervistë për median sllovake “Dennik”, tha se mbi tryezën negociuese do të jetë Draft-Statuti i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe për të “përcaktuar statusin ligjor të serbëve të Kosovës” dhe “se çfarë kompetencash do të ketë”.

“Për mua e rëndësishme është që më 2 maj të kemi takimin e planifikuar mes Presidentit Vuçiç dhe Kryeministrit Kurti në Bruksel, ku fillimi i procesit të themelimit të Asociacionit të Komunave me shumcië serbe do të jenë në agjendë. Draft-Statuti do të paraqitet, i cili është hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, tha Lajçak.

Për diplomatin sllovak, ndonëse tema e Asociacionit të Komunave me shumicë serbë është tejet e ndjeshme, ajo që do të ndodhë në Bruksel “do të jetë hapi i parë i detyrueshëm dhe i rëndësishëm”, duke iu qëndruar pas modeleve evropianeve që rregullojnë çështjen e pakicave kombëtare në Evropë.

“Është temë e ndjeshme, ka ende shumë për të biseduar rreth saj, por për mua është e rëndësishme që më në fund të nisim të përcaktojmnë se çfarë do të thotë ky Asociacion, cili do të jetë statusi ligjor i tij, çfarë kompetencash do të ketë. Do t’u rrimë prapa modeleve evropiane”, shtoi ai.

Ky takim vjen pasi Kosova dhe Serbia dhanë dakordimin e tyre për Aneksin Zbatues të Planit Evropian për rrugën drejt normalizimit. Ky dakordim iu dha më 18 mars përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në Ohër të Maqedonisë së Veriut, ndërkaq dokumenti i dakorduar në tërësi iu paraqit edhe Këshillit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore