Të premten e 24 shtatorit është rihapur dosja “Gërdeci”. Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur që të rigjykojë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Gjyqtarja, e cila do të shqyrtojë çështjen e “Gërdecit”, në Apelin e Posaçëm, do të jetë Saida Dollani.
Kjo e fundit pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe revokoi vendimin e pushimit të 14 shtatorit të vitit 2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Dollani u zgjodh më 8 shtator, kur vendosi që ta shqyrtojë këtë çështje si gjyqtare e vetme, ndaj Mediut.
Më herët, SPAK ka kërkuar revokimin e vendimit të Gjykatës së Lartë dhe rinisjen e gjykimit ndaj Mediut.
Mediu akuzohet për shpërdorim detyre, në lidhje me shpërthimin e depos së armëve në Gërdec, ku mbetën të vdekur 26 persona dhe qindra të tjerë të plagosur.
Si u rikthye pas tetë vitesh çështja “Gërdeci”?
Gjykimi ndaj Mediut u rikthye më 7 maj, kur familja e 7-vjeçarit që humbi jetën, depozitoi në SPAK kërkesën për ndjekjen penale të Mediut.
SPAK, fill pas shqyrtimit të kërkesës, kërkoi hapjen e dosjes dhe revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut.
Shkaku, për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën vendosi pushimin e çështjes penale ndaj Mediut, ishte imuniteti parlamentar.
Më 30 qershor, Gjykata e Lartë shpalli moskompetencë për gjykimin e ish-ministrit të Mbrojtjes.
Në vijim të ndryshimeve ligjore të bëra me reformën në drejtësi, çështja “Gërdeci” i kaloi Gjykatës së Posaçme Anti-Korrupsion.
Ndërkohë GJKKO-ja, më 27 korrik, vendosi që Fatmir Mediu nuk do të gjykohet. Kjo Gjykatë cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se tetë vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.
“Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që ta rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale, apo të kërkonte rishikim të vendimit”, thuhej në vendimin e GJKKO-së.
Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.
Por SPAK ankimoi në Apel vendimin e GJKKO-së, duke e cilësuar si të pabazuar në ligj.
Mediu akuzohet për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim. Si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Shpërthimi i Gërdecit
Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.
Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave dhe dëmtime të parëndësishme për 67 persona.
Si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.com-
Thaçi: Ëndrra ime është që të gjithë shqiptarët të jetojnë në një shtet
-
Mbi 14 milionë turistë priten këtë vit, Balla: Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat
-
Aksioni i Frontex në Ballkan jep efekt, bien drastikisht kalimet e jashtëligjshme
-
Peleshi viziton qendrën e Inovacionit të Kërkimit dhe Mbrojtjes në Hungari
Lajmet kryesore
-
Aksioni i Frontex në Ballkan jep efekt, bien drastikisht kalimet e jashtëligjshme
-
Mbi 14 milionë turistë priten këtë vit, Balla: Policia e Shtetit i ka marrë të gjitha masat
-
Ose të dëgjojë SHBA-të ose të përgatitet për përshkallëzim – zgjedhja i takon Izraelit
-
Kurti për vizitën dy ditore në Gjermani: Kryefjala e vizitës ishte rëndësia e anëtarësimit të Kosovës në KiE