Shqipëria

Vdekja e 7-vjeçarit në Gërdec, SPAK kërkon hapjen e dosjes për Fatmir Mediun


Familja e 7-vjeçarit, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit, ka depozituar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), kërkesën për ndjekjen penale të Fatmir Mediut, ish-ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë.

SPAK-u, pas analizimit mbi pretendimet, si dhe shqyrtimit të dokumentacionit, ka vendosur se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut, e pushuar në 2009-ën.

Gërdeci

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 personave, plagosja e lehtë e 109 personave, dëmtime të parëndësishme për 67 persona, si dhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të 61 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme regjistroi procedimin penal  2008 dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.

Në këtë hetim Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, për shak të imunitetit parlamentar.

Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj Fatmir Mediut nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë, pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore