Shqipëria

SPAK ankimon vendimin e GJKKO-së për Fatmir Mediun


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit Dhe Krimit Të Organizuar (SPAK) ka ankimuar vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO), e cila nuk hapi gjykim kundrejt ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Sipas SPAK-ut vendimi është i pabazuar në ligj.

Në vendimin e publikuar, të martën e 27 korrikut, nga Gjykata e Posaçme lidhur me kërkesën e SPAK-ut, theksohet se “ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nuk do të gjykohet”.

GJKKO-ja cilësoi në vendim se, që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale.

Në vendim thuhet gjithashtu se “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerrte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit”.

Kësisoj, Gjykata ravijëzoi se hapja e dosjes “Gërdeci”, “nuk mund të ushtrohet më bazuar në nenin 66 germa ‘b’ të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 germa ‘d’ të K.Pr.Penale”.

Etapat e Gjykimit

Ishte Gjykata e Lartë, ajo që i kaloi çështjen GJKKO-së, duke shpallur mos-kompetencën për gjykim.

Më 6 maj, familja e një 7-vjeçari, i cili humbi jetën në shpërthimin e Gërdecit, ka depozituar në SPAK – 13 vjet pas tragjedisë – kërkesën për ndjekjen penale të Fatmir Mediut.

SPAK-u, pas analizimit mbi pretendimet, si dhe shqyrtimit të dokumentacionit, vendosi se ekzistojnë të gjitha shkaqet ligjore për revokimin e vendimit të pushimit të çështjes penale ndaj Mediut. Kjo e fundit, e pushuar në vitin 2009.

Gërdeci

Më 15 mars të vitit 2008, në ambientet e ish-“Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, pranë Tiranës, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., ndodhën një seri shpërthimesh masive që sollën pasoja të rënda.

Si rezultat i kësaj ngjarjeje u shkaktua vdekja e 26 personave, plagosja e rëndë e 27 të tjerëve, plagosja e lehtë e 109 syresh, si edhe dëmtime të tjera të paklasifikuara të mbi 120 personave që janë trajtuar në spitale e qendra shëndetësore.

Lidhur me këtë ngjarje, Prokuroria e Përgjithshme, regjistroi procedimin penal në 2008-ën dhe ushtroi ndjekjen penale ndaj shtetasit Fatmir Mediu, në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, si dhe ndaj shumë personave të tjerë.

Në këtë hetim, Mediu u akuzua për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” kryer në bashkëpunim, si dhe për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.

Shkaku për të cilin Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë në 2009-ën ka vendosur pushimin e çështjes penale ndaj shtetasit Mediut, ka qenë për shkak të imunitetit parlamentar.

Prokuroria e Posaçme tashmë, ka vlerësuar se ndjekja penale për çështjen ndaj Fatmir Mediut, nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë. Kjo, pasi pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes. Ndërsa tani, ajo nuk ekziston.

Çështja “Gërdeci” ka qenë ndër më të përfolurat në opinionin publik në mijëvjeçarin e ri në Shqipëri. Përtej Mediut, implikime direkte mbi këtë çështje kanë shkuar edhe për Shkëlzen Berishën, djalin e ish-kryeministrit, Sali Berisha. Ky i fundit, pikërisht për këto çështje dhe për korrupsion, është shpallur “non grata” në SHBA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore