Jetesë & Stil

Rihanna – zyrtarisht miliardere


Rihanna - Artiste

Këngëtarja dhe pronarja e disa bizneseve, Rihanna, tashmë edhe zyrtarisht është muzikantja grua më e pasur në të gjithë rruzullin tokësor.

Lajmin e ka bërë të ditur, e shquara “Forbes”, e cila ka zbuluar se këngëtarja nga Barbadosi aktualisht posedon një pasuri me vlerë prej hiq më pak se 1.7 miliardë dollarësh amerikanë.

Por, sa i përket figurave publike, para Rihanna-s gjendet vetëm një emër kur në pyetje është vlera e pasurisë. Ajo është prezantuesja televizive, Oprah Winfrey, e cila këtë vit dha intervistën bombastike me Princin Harry dhe gruan e tij, Meghan Markle.

Gjithsesi, Rihanna nuk po grumbullon para vetëm me muzikën e saj. “Forbes” ka raportuar se vlera prej 1.4 miliardë dollarësh amerikanë erdhi nga kompania “Fenty Beauty”, në të cilën ajo zotëron 50 përqind të aksioneve.

Po për 300 milionë dollarët e mbetur? Epo, rol luan marka e saj e të brendshmeve “Savage x Fenty”, e cila thuhet se vlen rreth 270 milion dollarë amerikanë, ndërsa pjesa tjetër është mbushur nga fimet e saj nga karriera si muzikante dhe aktore.

Në vitin 2017, Rihanna dhe kompania e mallrave luksoze “LVMH” filluan të krijojnë një hapësirë ​​më gjithëpërfshirëse brenda industrisë së bukurisë, duke lansuar kështu “Fenty Beauty”, e cila ka një klientelë të madhe dhe përdor për imazh të reklamave, modelet më të famshme në botë.

“Unë dua që të gjitha gratë të ndihen mirë. Ne jemi gra dhe kemi sfida. Ne meritojmë të ndihemi të bukur, dhe unë dua që gratë e të gjitha nuancave të ndihen të përfshira dhe të gjitha racat dhe të gjitha kulturat të jenë pjesë e kësaj”.

“Kjo është e rëndësishme për mua në zgjedhjen e nuancave dhe sa do të bënim, veçanërisht me fondacionin. Grimi krijon edhe një situatë argëtuese, dhe unë dua që të gjitha gratë ta shijojnë”, kishte thënë Rihanna kohë më parë në një intervistë për “E”.

Vitin pasardhës, ajo lansoi “Savage X Fenty” në bashkëpunim me “TechStyle Fashion Group” me synimin për të ndihmuar gratë të ndihen seksi dhe të sigurta, ndërkohë që janë edhe komode.

“Ne gjithmonë duam të përfshijmë gra që nuk janë ndjerë seksi sipas kushteve dhe pritjeve të shoqërisë”.

“Ne duam që ata të ndjehen se kjo është hapësira dhe qendra e tyre e sigurt, që ne e marrim atë dhe jemi bashkë me to”, pati thënë ylli i hitit “Umbrella”.

Ashtu si çdo manjat, edhe Rihanna ka përjetuar ulje dhe ngritje.

Vetëm disa muaj pasi kishte hapur selinë e “Fenty Skin”, ajo njoftoi mbylljen e shtëpisë së saj të modës “Fenty”.

Por pa marrë parasysh sfidat, Rihanna po vazhdon të ndërtojë “perandorinë e saj”.

Ndërkaq, sa i përket muzikës ajo është tërhequr në hije, duke mos publikuar asgjë të re për publikun që nga viti 2016, kur e kishte lansuar albumin “ANTI”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore