Film

Ri-Fillim. Ri-Bashkim. Ri-Veprim. “Dokufesti” sivjet


Festivali Ndërkombëtar i Filmit - "Dokufest 2021".

Festivali ndërkombëtar i filmave dokumentarë dhe të shkurtër që mbahet në qytetin e Prizrenit të Kosovës, “Dokufest”, po vazhdon të prezantojë pranë audiencës së vet programin e veçantë të krijuar për këtë edicion.

Në këtë verë, festivali ka ardhur në formë të ngjashme me edicionet e kaluara para pandemisë dhe shumë më ndryshe nga viti i kaluar, kur gjithçka u realizua në versionin virtual.

Drejtori artistik i “Dokufest”, Veton Nurkollari, në një intervistë për Albanian Post, tregon se përgatitjet për edicionin e sivjetmë të këtij festivali kanë ecur mirë, përkundër periudhës me pandemi nga Coronavirus.

Sipas tij, sfida kryesore e “Dokufest 2021”, ka qenë pamundësia e planifikimit me kohë, çka bëri që ky edicion të jetë më i vogël sesa në vitet e kaluara.

Veton Nurkollari – Drejtor Artistik i “Dokufest”.

“Përgatitjet për këtë edicion kanë ecur mjaft mirë, përkundër situatës me pandeminë dhe paqartësive rreth asaj se në çfarë forme mund të realizohet festivali”, thotë, Veton Nurkollari, Drejtor Artistik i “Dokufest”.

“Sfida kryesore në fakt ishte pamundësia e planifikimit me kohë dhe kjo ka ndikuar të kemi një edicion, ne dukje pak më i vogël se ato të kohës para pandemisë por gjithsesi më i kompletuar se sa parashikimet tona në fillim të vitit”, thotë Nurkollari.

E lumtur për realizimin e edicionit të ri të “Dokufestit”, shprehet të jetë edhe producentja e këtij festivali, Alba Çakalli.

Alba Çakalli – Producente e “Dokufest”.

“I ardhur pas një viti me audiencë online si pasojë e rrethanave pandemike, edicioni i sivjetmë ka sjellë një ribashkim mes festivalit dhe entuziastëve të filmit e artit”.

“Jemi shumë të lumtur që këtë vit arritëm t’i hapim dyert ndaj audiencës e ta zhvillojmë festivalin në bashkëpunim me autoritetet komunale të sigurisë, me masa të caktuara në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë”, thotë Çakalli.

Festivali ndërkombëtar “Dokufest”, përfshin një ekip të madh njerëzish profesionistë të sferave të ndryshme, artistë vendorë e të huaj, por edhe vullnetarë të shumtë, mbi 200 sosh.

Por, një nga ndryshimet që u vu re më shumë nga artdashësit e këtij evenimenti kulturor është mos realizimi i platformës “DokuNights”.

Deniz Ozçelik – Këngëtare e huaj, gjatë performancës në “Dokufest 2021”.

“Dokufest” për këtë vit ka përzgjedhur një formë të re për prezantimin e artistëve dhe performancave të tyre – “SonicNights”, ndërsa Nurkollari dhe Çakalli tregojnë arsyet për një vendim të tillë.

“’DokuNights” është një organizim kompleks dhe kërkon planifikim të hershëm, sikurse edhe konfirmim nga artistët muaj përpara, gjë që ishte tejet vështirë te realizohej ne kushte të pandemisë”.

“Arsyeja tjetër ka të bëjë me brengën tonë të mbledhjes në një vend të numrit të madh të njerëzve shkaku i rrezikut të përhapjes së virusit. Prandaj vendosëm për një variantë të vogël të ‘DokuNights’ në fakt, të cilën e zhvendosëm në një hapësirë më të madhe, ku mundësia e distancimit social është shumëfish më e madhe se ne hapësirën ku mbahej më parë”, thotë Nurkollari.

Audienca e “SonicNights” në “Dokufest 2021”.

Ndërsa Çakolli thotë se – “Koncepti i ‘Sonic Nights’ vjen rrjedhimisht si modifikim i ‘DokuNights’, qëllimi fundamental i të cilit ka qenë gjithmonë pruarja e artistëve të nivelit lokal dhe internacional. Ky qëllim ka mbetur i njëjtë duke zhvilluar netë të cilat konsistojnë nga muzika dhe entuziazmi artistik”.

Gjithsesi, festivali “Dokufest”, sjellë gjithmonë risitë e botës kinematografike dhe një numër të madh filmash që gjejnë përherë dashurinë e publikut dhe përfshijnë pothuajse të gjitha shijet e tyre mbi zhanre të caktuara.

Alba Çakalli, tregon se edhe edicioni i këtij viti ka një program të pasur të filmave që po shfaqen për publikun pjesëmarrës gjatë ditëve të festivalit.

“Lunar Cinema” me lokacion në Kalanë e Prizrenit – “Dokufest 2021”.

“Në këtë edicion, ne kemi përzgjedhur mbi 200 filma, 106 prej të cilëve i përkasin kategorive garuese që përmbajnë narrativa nga ‘Human Rights Dox’ (trajtim i temave për të drejtat e njeriut dhe pabarazitë shoqërore) e deri tek ‘Green Dox’ (trajtim i zhvillimeve në aspektin e ngrohjes globale).

“Përveç filmave garues, këtë vit kemi zgjedhur të kthehemi në retrospektivë mbi 20 vitet e kaluara me kategorinë ‘20 FOR 20’ ku ri sjellim disa nga filmat tanë të preferuar”, tregon producentja e festivalit.

Si përherë, “Dokufest” prezanton një program të pasur të filmave ndërkombëtar, por jo vetëm!

Edhe gjatë këtij edicioni funksionale është dhe vazhdon të mbetet kategoria garuese “National Competition”, brenda të cilës pjesë bëjnë prodhimet kinematografike nga Kosova.

Kino Lumbardhi – “Dokufest 2021”.Madje, “Dokufest 2021”, do të sjellë edhe premierën e dy filmave kosovarë, atë “Pa vend” të Samir Karahodës si dhe “4 Pills at Night” të Leart Ramës.

Të dy filmat patën paraprakisht suksese ndërkombëtare, “Pa vend”, ishte pjesë e garës së “Filmave me metrazh të shkurtër” në edicionin e sivjetmë të Festivalit të Filmit – “Cannes”, ndërsa “4 Pills at Night”, morri pjesë në Festivalin e Filmit të Locarnos në Zvicërr.

Për çdo vjet “Dokufest” vjen me një koncept të ri, ndërsa, Çakalli, tregon atë të këtij viti.

Koncepti i këtij viti – “Dokufest 2021”.

“Koncepti i këtij viti manifestohet me shprehjen ‘Re:Set, Re:Mix, Re:Act’, fragment ky i cili përfaqëson pikëpamjen tonë mbi 20 vitet gjatë të cilave ‘Dokufesti’ ka marrë identitetin e tij si festival”.

“Mbi të gjitha, festivali i sivjetmë zgjedh të eksplorojë aspekte të shumta të këtyre fjalëve në kontekstin e botës që rishfaqet nga pandemia dhe ri-imagjinon vetën në një situatë të re”, përfundon ajo.

Ani pse, periudha me pandemi po vazhdon të jetë e shfaqur në Kosovë, kjo nuk po e pengon “Dokufestin”, që të tërheq vizitorë të shumtë.

Kështu të paktën shprehet vetë drejtori artistik i këtij festivali, i cili tregon se fillimisht ishte planifikuar një edicion më i vogël, edhe në program edhe në audiencë, por që rezultatet finale po dëshmojnë shumë më shumë.

Një nga netët në “Dokufest 2021”.

“Pritjet tona janë tejkaluar, më duhet të ceki. Ne fillimisht kemi planifikuar një edicion më modest, si në numrin e filmave ashtu edhe në vizitshmëri. Nga ajo që e pamë deri tani mund të them që jemi mjaft të kënaqur me mbarëvajtjen e festivalit”, thotë Nurkollari.

Festivali ndërkombëtar “Dokufest”, ka nisur të mbahet që nga data 6 gusht dhe do të vazhdoj të realizohet deri më datën 14 gusht të këtij viti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore