Shqipëria

Rezultatet negative: Boiken Abazi largohet nga drejtimi i LVV-së në Shqipëri


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Boiken Abazi, përmes një statusi në median sociale “Facebook” ka njoftuar dorëheqjen e tij të parevokueshme pas rezultateve në zgjedhjet e 25 prillit.

Abazi, i cili mban pozicionin e drejtorit ekzekutiv të Qendrës së LVV-së në Shqipëri, deklaroi se dorëheqja është paraqitur më datë 15 shtator.

Kjo lëvizje, sipas tij, ishte diskutuar edhe pas zgjedhjeve në Bordin e Qendrës.

Vendimi u bë publik, në një moment të dytë, “për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe raundit të parë të zgjedhjeve lokale”, sqaron Abazi.

Në lidhje me të ardhmen e Lëvizjes në Shqipëri, ai shkruan se po vijojnë diskutimet.

“Të dielen e kaluam bashkë me Albinin në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, shkruan fillimisht Abazi në statusin e tij.

Gjatë qëndrimit në Kosovë, ish-kreu i LVV-së në Shqipëri, nënvizon se u diskutua për të ardhmen e Kosovës e Shqipërisë dhe nevojën për reforma në institucione dhe ekonomi, progresin shoqëror e mbarëkombëtar.

Referuar zgjedhjeve lokale të 17 tetorit në Kosovë, Abazi thekson se “nga vendi i tretë në zgjedhjet lokale të vitit 2017, VETËVENDOSJE! tash është e para edhe me votën popullore nëpër komuna në nivel Kosove”.

Në përmbyllje, ai shtoi se “sfidat nuk janë të vogla, por mbeten me shpresë e të angazhuar si rrallë herë më parë”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore