Lajme

REL: Qeveria Kurti gati ta ftojë Komunën e Deçanit publikisht që ta zbatojë vendimin për tokat rreth manastirit


Manastiri i Deçanit

Radio Evropa e Lirë ka raportuar se Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është e gatshme që ta ftojë publikisht Komunën e Deçanit për ta zbatuar “vendimin e dhimbshëm” të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

Krejt kjo, siç raporton REL, me qëllim që të dëshmohet se “Kosova është shtet ligjor”, kjo pas kërkesave të shumta të bashkësisë ndërkombëtare në raport me ekzekutivin për zbatimin e këtij vendimi të kushtetueses.

Raportohet se, ndonëse “nuk do që ta obligojë komunën” për ta zbatuar vendimin, me shpresë se kjo do të arrihet “në mënyrë të pavarur dhe pa presion”, qeveria beson se po shkon “në drejtimin e duhur”.

Vendimi nga Gjykata Kushtetuese sa i përket tokave rreth Manastirit të Deçanit ishte marrë në vitin 2016, i cili kërkon transferimin e 24 hektarë tokë te Manastiri i Deçanit.

Ky raportim vjen në një kohë kur kanë plasur kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e vendimit të gjykatave të Kosovës për tokat rreth Manastirit të Deçanit.

Javën e kaluar ishte fillimisht Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX), Giovanni Barbano, që këroi zbatimin e vendimit të Kushtetueses.

“Vënia në pikëpyetje e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimeve gjyqësore minon pavarësinë e gjyqësorit, duke gërryer shtetin e së drejtës. Vendimi i vitit 2016 për Manastirin e Deçanit është i detyrueshëm për të gjithë personat dhe institucionet, pa përjashtim”, ka shkruar ai në platformën sociale, X.

Pas tij ishte ambasadori gjerman, Jorn Rohde që shpalosi kërkesën e njëjtë.

Përmes një postimi në platformën sociale, X, Rohde ka potencuar se të gjithë miqtë dhe partnerët e Kosovës aktualisht e kanë të njëjtën kërkesë.

Kjo kërkesë kishte daluar edhe në raportin që e përpiluan juristët eminentë, Spiliopolou Akermark dhe Thomas Markert, që në kuadër të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, bënë vizitë në Kosovë.

Misioni faktmbledhës i tyre disa ditor kulmoi me një raport, në të cilin ndër të tjera kërkohet themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, reforma për të përmirësuar efikasitetin e sistemit gjyqësor e përmbajtja nga përdorimi i forcave speciale të Policisë së Kosovës në Veri të Kosovës.

Raporti 28 faqesh i publikuar nga Këshilli i Evropës është ndarë në gjashtë pjesë ku analizohet korniza kushtetuese e Kosovës, Demokracia, Zbatimi i Ligjit e Drejtat e Njeriut.

Raporti i Këshillit të Evropës ndër të tjera vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të respektojë pa vonesa të mëtejshme aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin e Manastirit të Deçanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore