Lajme

Rekord/ 4.5 milionë amerikanë lanë punën në nëntor 2021


Të lësh punën vullnetarisht nuk është një fenomen shumë i dëgjuar ndoshta për vendet nevojtare si Shqipëria, por në SHBA, përveçse ky është një fenomen i njohur, është arritur edhe një rekord i ri përgjatë nëntorit 2021, ku rreth 4.5 milionë amerikanë, e kanë braktisur punën.

Kjo shifër është me rreth 370 mijë punonjës më shumë se sa rekordi i mëparshëm.

Kryesisht, bëhet fjalë për sektorët e akomodimit dhe restaurimit, pra hoteleria dhe restorantet.

Një numër i lartë largimesh është parë edhe në sistemin shëndetësor dhe atë të punëve sociale. Sipas të dhënave nga zyra e punës në SHBA, në të katër rajonet gjeografike, ka pasur largime drastike.

Hapja e vendeve të reja të punës po ashtu ka rënë ndjeshëm. Pavarësisht faktit se ato shkuan në 10.6 milionë, rënia e shënuar ishte me rreth 529 mijë vende pune.

Numri i vakancave sipas parashikimeve, mendohej se mund të ishte në kuotën e 11.075 milionëve.

Ato që ndryshuan më së pakti, ishin punësimet e reja. rreth 6.7 milionë amerikanë nisën punë të reja gjatë muajit nëntor 2021. Po në të njëjtat kuota, me pak ndryshime, kanë qenë edhe muajt paraardhës.

Gjithsesi, shqetësimi vijon të jetë sektori i akomodimit. Po ashtu, edhe ai i ndërtimeve apo manifakturës.

Shifra të tilla, nuk sugjestionojnë një krizë të stërmadhe në fuqinë e punës së amerikanëve, por, nëse statistikat vijojnë të mbeten të tilla, mund të ketë vend për shqetësim.

Një valë e vërtetë e variantit Omicron të COVID-19, ende nuk e ka goditur Amerikën. Për këtë shkak, nëse ajo realisht ndodh, mund të jetë edhe më vdekjeprurëse për industrinë.

Gjithsesi, në perspektivë, kjo është një thirrje paralajmëruese për administratën shtetërore, për të marrë iniciativa lehtësuese për sektorë të ndryshëm të punës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore