Lajme

Rekomandohet suspendimi i 4 zyrtarëve policorë në rastin e vrasjes së gruas shtatzënë


IPK

Pas vrasjes së gruas shtatzënë nga ish-burri i saj brenda oborrit të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, Inspektorati Policor i Kosovës, ka rekomanduar suspendimin e Komandantit të Stacionit policor të Komunës së Lipjanit, një rreshteri dhe dy hetuesve.

Kështu të paktën thuhet në komunikatën për media e lëshuar këtë të shtunë nga IPK.

Gjatë hetimit i cili është realizuar nga ana e IPK-së në rastin e vrasjes së gruas shtatzënë është konstatuar se 4 zyrtarë policorë të Stacionit Policor në Lipjan janë të dyshuar për vepra penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”.

“IPK kishte filluar hetim paraprak mbi veprimet e ndërmarra policore në rastet që policia ka trajtuar ndaj të dyshuarit S.H për ‘Dhunë në familje’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës’”.

“Këto raste janë trajtuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë Ferizaj, përkatësisht Stacioni Policor Shtime, si dhe Stacioni Policor Lipjan i cili ka qenë i ngarkuar me zbatimin e Urdhër-mbrojtjes së palës së mbrojtur H.M”.

“Hetuesit e IPK-së, si rezultat i ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore, kanë arritur deri tek dyshimi i arsyeshëm, se lidhur me zbatimin e Urdhrit-mbrojtës nga ana e zyrtarëve te Stacionit Policor Lipjan, ka elemente të veprave penale ‘Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘Falsifikimi i dokumentit zyrtar'”.

Vrasja e gruas shtatzënë brenda QKUK-së

Më 30 nëntor, një ngjarje trishtuese ndodhi në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku një grua 35 vjeçare – në ditët e fundit të shtatzënisë – mbeti viktimë e një krimi monstruoz.

Lajmin për Albanian Post e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 18:00, kemi pranuar informatën për një trup të pajetë, në oborrin e QKUK-së në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes si dhe ekipi mjekësor të cilët kanë konstatuar vdekjen  e viktimës, femër, rreth 35 vjeç”.

Gjykata Themelore e Ferizajt, kishte bërë të ditur se viktima ka pasur urdhër-mbrojtje.

Në njoftim thuhej se kërkesa për lëshimin e urdhrit mbrojtës ishte bërë me datë 8 shtator 2022.

Vetëvritet vrasësi i gruas shtatzënë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore