Shqipëria

Reduktohen lëvizjet kufitare me Shqipërinë, shkak masat e vendosura nga Qeveria e Kosovës


Morinë, pika kufitare ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë

Që prej hapjes së pikës së kalimit kufitar të Morinës midis Shqipërisë dhe Kosovës, më shumë se dy dekada më parë, kjo javë ka shënuar fluksin më të vogël të lëvizjeve në dy anët e kufirit.

Kjo i faturohet masave të vendosura nga Qeveria e Kosovës për të pasur tri doza vaksinimi për këdo që hyn në territorin e Kosovës.

Edhe ato pak makina që lëvizin një pjesë të pasagjerëve i lënë në kufi, pasi nuk lejohen të kalojnë.

Zëvendëskomandanti i pikës kufitare të Vermicës, Ismet Hodaj, konfirmoi për A2 reduktimin e ndjeshëm të lëvizjeve.

Masat e Qeverisë së Kosovës kundër përhapjes së Covid-19 kanë ndikuar më së shumti te lëvizjet dhe ekonomitë familjare të qytetarëve shqiptarë, të cilët punojnë dhe kryejnë vizita shëndetësore në qytetet e Kosovës.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten, 21 janar, masa të reja për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas rritjes së numrit të rasteve të infektimit në vend.

Në vendim është thënë se situata epidemiologjike është e qetë, mirëpo rreziku mbetet pasi varianti Omicron është dominues.

Sipas vendimit të qeverisë, qytetarët që hyjnë në Kosovë duhet të jenë të vaksinuar plotësisht dhe të kenë edhe dozën përforcuese, ose dpzën e tretë.

Ata që nuk kanë dozën përforcuese, duhet të kenë test negativ të llojit PCR, të vlefshëm për 48 orë.

Agim Shahini, Kryetar i Aleancës së Bizneseve të Kosovës

Masat e reja anti COVID kanë dëmtuar edhe bizneset

Kryetari i Aleancës së Bizneseve të Kosovës, Agim Shahini, ka treguar se bizneset në vend, janë dëmtuar pas vënjes së masave të reja anti COVID-19, nga Qeveria e Kosovës.

Masat e vendosura në pikat kufitare të vendit, paraqesin ndikim negativ për të gjithë bizneset që dëshirojnë të operojnë edhe jashtë.

“Këto rregulla i vlerësojmë se janë të ngarkuara me një kërkesë të panevojshme dhe kaq të madhe. Kjo pasi një person që i ka dy vaksina kundër COVID-19, pse do të duhej t’i kërkohej testi, si dhe e kundërta pse duhet t’i kërkohen dy vaksina një personi që e ka testin për COVID-19”, ka thënë Shahini.

“Në këtë drejtim nuk është problemi vetëm te bizneset, sepse, maunet dhe shoferët mund të lëvizin. Por, qytetarët dhe biznesmenët që mund të lëvizin për të kontraktuar mall duhet t’u nënshtrohen këtyre rregullave”.

Shahini ka deklaruar se probleme kanë pranuar edhe nga bizneset që vijnë drejt Kosovës nga vendet fqinje.

“Kemi kërkesa të vazhdueshme të njerëzve e shohim edhe në kufi se është numri i vogël i qytetarëve dhe bizneseve që lëvizin në të dyja anët. Kemi pranuar reagime nga Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe nga Lugina e Preshevës”.

“Mendoj se duhet të kemi një mirëkuptim për vendet fqinje sa u përket masave, pasi marrim atë çka ne mund të ofrojmë, në të kundërtën, po vetizolohemi”.

Ai ka theksuar se i kanë bërë thirrje Qeverisë Kurti që t’i lirojnë sa më shpejt këto masa.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës ka arsyetuar masat anti-COVID19, për të cilat ka thënë se të gjitha janë vendosur në përputhje me situatën epidemiologjike.

“Masat që i kemi marrë për parandalimin janë rezultat i balancimit të faktorëve te situatës në vend e rajon. Një, situatës epideomiologjike në vend”, deklaroi Latifi.

Mirëpo, pavarësisht shifrave të larta të të infektuarve, ministry ka thënë se situata është e menaxhueshme në spitalet e Kosovës.

“Ashtu siç kemi pritur, dje kemi arritur mbi 4 mijë të infektuar e numri i të vdekurve e ka kaluar 3 mijë. Ashtu siç kam thënë dje, numri është diçka e re. Pavarësisht numrit të infektuarve, numri i atyre që kërkojnë ndihmë në spitale, është i ulët e i menaxhueshëm në sistemin e brishtë te ne”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore