Lajme

Ministri i Shëndetësisë arsyeton masat anti-COVID19


Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi në seancën e të enjtes në Kuvendin e Kosovës ka arsyetuar masat anti-COVID19, për të cilat ka thënë se të gjitha janë vendosur në përputhje me situatën epidemiologjike.

“Masat që i kemi marrë për parandalimin janë rezultat i balancimit të faktorëve te situatës në vend e rajon. Një, situatës epideomiologjike në vend”, deklaroi Latifi.

Mirëpo, pavarësisht shifrave të larta të të infektuarve, ministry ka thënë se situata është e menaxhueshme në spitalet e Kosovës.

“Ashtu siç kemi pritur, dje kemi arritur mbi 4 mijë të infektuar e numri i të vdekurve e ka kaluar 3 mijë. Ashtu siç kam thënë dje, numri është diçka e re. Pavarësisht numrit të infektuarve, numri i atyre që kërkojnë ndihmë në spitale, është i ulët e i menaxhueshëm në sistemin e brishtë te ne”.

Ai u ndërlidh edhe me ato të cilat i tha infektologu, Shemsedin Dreshaj për stafin mjekësor, të cilët i quajti heronjë.

“Jemi duke e trajtuar situatën epidemiologjike. Edhe unë mendoj sikur Dreshaj se mjekët e infermierët që po merren me kujdesin për të parandaluar shpërndarjen e virusit, janë heronjtë tonë. Të gjitha vendimet që merren për çfarëdo mase janë diskutime të gjata, edhe me profesionistë shëndetësorë, edhe nga IKSHPK-ja, edhe nga grupi këshillëdhënës i MSH-së”.

Kuvendi i Kosovës.

Latifi bëri të ditur se, “mesatarja javore për 1 milion banorë në Kosovë janë një mijë e 508 raste, një mijë e 900 është në Evropë. Kosovën nga vendet e tjera e dallon edhe numri i madh i testimeve, pas Sllovenisë”.

Më 26 janar, në Kosovë janë regjistruar 4 mijë e 397 raste të reja.

Rastet e reja kanë dalur pas testimit të 16 mijë e 307 mostrave.

Nga kjo shifër i bie se rreth 27 për qind e të testuarve kanë rezultuar pozitivë për sëmundjen COVID-19.

Ndërsa është bërë e ditur se janë shëruar edhe 607 pacientë.

Në Kosovë, aktualisht janë 25 mijë e 458 raste aktive me COVID-19.

Deri më tani, të vaksinuar plotësisht, me dy doza të vaksinës janë 832 mijë 20 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore