Përballje

Real Madrid dhe Barcelona ballafaqohen në “El Clasico”-n numër 284


Një nga ndeshjet më të famshme në planet do të zhvillohet sot (e diele), ku Real Madrid dhe Barcelona do të ballafaqohen në “El Clasico”-n numër 284 me fillim nga ora 16:15 në “Santiago Bernabeu”.

Si gjithë herë kjo ndeshje do të jetë speciale, por sot pritet që të jetë akoma më e veçantë duke pasur parasysh që dyja ekipet kanë pikë të barabarta në krye të tabelës.

Sikurse Barça ashtu edhe Reali kanë nga 22 pikë, ku në tetë javët e para kanë marrë nga shtatë fitore dhe një barazim.

Përveç ndeshjes së javës së parë në La Liga, ku Barcelona barazoi me Vallecano-n, shtatë të tjerat i ka fituar. Madje gjashtë prej tyre nuk ka pranuar asnjë gol.

Në anën tjetër, Real-i ka barazuar vetëm ndaj Osasuna-s, kurse shtatë ndeshjet e tjera i ka fitore.

Sa i përket ndeshjeve të tyre në histori, Barcelona ka fitore më shumë, me 117, Real-i numëron 104 dhe 62 ndeshje janë mbyllur në barazim.

Edhe me gola të shënuar prijnë blaugranat me 492 gola, derisa madrilenët kanë 458.

Sa i përket formës momentale, Barça vjen pas thuajse eliminimit në Ligën e Kampionëve, ndërsa Real-i thuajse e ka të siguruar kalimin tutje.

Një lajm i mirë për trajnerin e Barcelonës, Xavi Hernandez, do të jetë rikthimi i mbrojtësit Kunde, ndërsa Aruajo, Christensen, Bellerin dhe Depay do të mungojnë.

Kurse trajneri i Real-it, Carlo Ancelotti, do ta vuajë mungesën e portierit, Thibaut Courtois dhe Dani Ceballos, kurse Antonio Rudiger do të jetë në dyshim.

Formacionet e mundshme:

Real Madrid (4-3-3): Lunin; Carvajal, Militao, Alaba, Mendy; Tchouameni, Kroos, Modric; Valverde, Benzema, Vinicius Jr.

Barcelona(4-3-3): Ter Stegen; Kounde, Pique, Eric Garcia, Marcos Alonso; Busquets, Gavi, Pedri; Raphinha, Dembele, Lewandowski.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore