Lajme

Reagon Borrell për dënimin e Navalnyt: I motivuar politikisht, të lirohet menjëherë


Alexei Navalny, lideri rus i opozitës dhe kritiku më i madh i Kremlinit, është dënuar me 19 vjet të tjera burg, me vendim të një gjykate ruse. Kohë kjo, e cila i shtohet një dënimi të tij të mëparshëm dhe që e sheh tashmë të rëndohet situatën për Navalnyn.

Menjëherë pas shpalljes së dënimit, ka reaguar edhe përfaqësuesi i lartë i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, i cili përveçse e ka cilësuar dënimin si të motivuar politikisht, ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të opozitarit rus.

Përmes një komunikate për shtyp, Borrell ka shpalosur qëndrimin e qartë të Bashkimit Evropian lidhur me rastin.

Reagimi i plotë

Bashkimi Evropian dënon ashpër vendimin e sotëm kundër politikanit të opozitës rus, Alexei Navalny, nga një gjykatë në Moskë, duke e dënuar atë me 19 vjet burgim shtesë për veprime që përbëjnë aktivitete të ligjshme politike dhe anti-korrupsion.

BE gjithashtu shpreh keqardhjen e thellë që seancat gjyqësore u zhvilluan në një mjedis të mbyllur, të paarritshëm për familjen dhe vëzhguesit e tij, në një koloni penale të regjimit të rreptë jashtë Moskës, ku Navalny po vuan tashmë dënime të motivuara politikisht prej 11.5 vjetësh gjithsej.

Ky është një tregues i qartë se sistemi ligjor rus vazhdon të instrumentalizohet kundër Navalnyt. Kjo tregon gjithashtu se sa shumë frikë kanë autoritetet ruse prej tij. Navalny është një shembull tjetër i goditjes së vazhdueshme sistematike nga autoritetet ruse dhe shpërfilljes së tyre për të drejtat e njeriut të qytetarëve të tyre.

Bashkimi Evropian përsërit shqetësimin e tij të thellë rreth raporteve për keqtrajtime të përsëritura, masa disiplinore të pajustifikuara dhe të paligjshme dhe ngacmime që përbëjnë torturë fizike dhe psikologjike nga autoritetet e burgut kundër Navalny. Udhëheqja politike e Rusisë është përgjegjëse për sigurinë dhe shëndetin e tij, për të cilat ata do të mbajnë përgjegjësi.

Kanë kaluar tre vjet nga atentati përmes helmimit të zotit Navalny më 20 gusht 2020 në Rusi duke përdorur një agjent nervor toksik të grupit “Novichok”, të ndaluar sipas Konventës për Armët Kimike, në të cilën Federata Ruse është shtet palë.

Së bashku me partnerët e tij, Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përsërisë thirrjen e tij ndaj Rusisë që të hetojë tentativën për vrasjen e zotit Navalny në transparencë të plotë dhe pa vonesa të mëtejshme, dhe të bashkëpunojë plotësisht me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW) për të siguruar një hetim i paanshëm.

Bashkimi Evropian vazhdon të dënojë në termat më të ashpër të mundshëm helmimin e Navalny, si dhe arrestimin, ndjekjen dhe dënimin e tij të motivuar politikisht, dhe përsërit thirrjen e saj ndaj Rusisë që ta lirojë menjëherë dhe pa kushte.

Sanksionet janë vendosur që nga viti 2020 kundër individëve dhe subjekteve përgjegjëse për helmimin, arrestimin arbitrar, ndjekjen penale dhe dënimin e zotit Navalny. Më 20 korrik, Këshilli miratoi masa shtesë kundër 11 individëve dhe pesë subjekteve përgjegjëse për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në Rusi, të lidhura gjithashtu me rastin Navalny.

Bashkimi Evropian përsërit thirrjen e tij ndaj Rusisë që të respektojë masën e përkohshme të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), që kërkon lirimin e menjëhershëm të Navalny nga burgu.

Bashkimi Evropian kujton se Rusia mbetet e detyruar të zbatojë plotësisht vendimet e GJEDNJ-së në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur para 16 shtatorit 2022, kur Rusia pushoi së qeni palë e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Alexei Navalny dënohet me 19 vite të tjera në burg

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore