Lajme

Alexei Navalny dënohet me 19 vite të tjera në burg


Udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, është dënuar me 19 vjet burg, në një gjyq të zhvilluar në një koloni të largët penale.

Navalny u shpall fajtor për themelimin dhe financimin e një organizate me aktivitete ekstremiste. Ai gjithsesi i mohon akuzat e ngritura.

Ai tashmë po vuan një mandat nëntë-vjeçar për shkelje të lirimit me kusht, mashtrim dhe shpërfillje të gjykatës. Akuzat shihen gjerësisht si të motivuara politikisht.

Që nga burgimi i tij në vitin 2021, Navalny është mbajtur në një koloni të largët penale.

Një sallë në burg, Kolonia Penale numër 6 në Melekhovo, e cila është 240 km në lindje të Moskës, u shndërrua në një sallë gjyqi të improvizuar për kritikun më të zëshëm të Kremlinit. Procedurat u zhvilluan me dyer të mbyllura.

Prokurorët e shtetit rus kishin kërkuar një dënim me 20 vjet burg për Navalnyn, në një “koloni të regjimit special” edhe më kufizues. Burgje të tilla zakonisht rezervohen për kriminelët më të rrezikshëm të Rusisë.

Në një mesazh të postuar në mediat sociale përpara vendimit, Navalny shprehu besimin e tij se do t’i jepej një burg i stilit “stalinist” i krijuar për të frikësuar kundërshtarët e tjerë të mundshëm.

Në letër, është një gjykatë e Moskës ajo që po shqyrton çështjen. Por vendimi për të mbajtur një gjyq në distancë në një burg sugjeron se autoritetet ruse donin të shmangnin publicitetin që do të vinte në mënyrë të pashmangshme me transportimin e zotit Navalny në kryeqytetin rus.

Kur Navalny dha deklaratën e tij përfundimtare dy javë më parë, nuk kishte asnjë video apo regjistrim audio të fjalëve të tij. Por teksti i fjalimit të tij që kritikonte autoritetet ruse dhe luftën në Ukrainë u bë publik. Mbështetësit e tij, duke përfshirë aktorë dhe muzikantë rusë në mërgim, e lexuan dhe e postuan në internet.

Navalny ende mund të përballet me akuza të tjera. Ai thotë se hetuesit i kanë thënë që të presë një gjykim tjetër për akuzat e terrorizmit.

Për më shumë se një dekadë, Navalny u përpoq të ekspozonte korrupsionin në zemër të pushtetit rus. Hulumtimet e tij video kanë marrë dhjetëra miliona shikime në internet.

Një aktivist karizmatik, ai dukej se ishte i vetmi lider i opozitës ruse i aftë të mobilizonte njerëz në një numër të madh anembanë Rusisë për të marrë pjesë në protestat antiqeveritare.

Por në vitin 2020, ai u helmua në Siberi nga ajo që laboratorët perëndimor më vonë konfirmuan se ishte një agjent nervor.

Një raport i mëvonshëm nga gazeta investigative Bellingcat dhe faqja ruse e lajmeve The Insider implikoi disa agjentë të shërbimit të brendshëm të sigurisë ruse, FSB, në sulm.

Pasi u shërua nga sulmi, Navalny u kthye në Rusi në vitin 2021, pavarësisht paralajmërimeve se ai mund të arrestohej. Ai u arrestua menjëherë pas mbërritjes në aeroportin Vnukovo të Moskës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore