Lajme

Rashiç: 145 persona kanë aplikuar për t’u kthyer në Kosovë – çka është bërë në kohën e Rakiçit është tmerruese


Nenad Rashiç

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, në një intervistë pwr “Slobodno Srpski”, ka thënë se në gjashtë muajt e parë të këtij viti, sipas të dhënave të Agjencisë për Refugjatë të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), për t’u kthyer në Kosovë kanë aplikuar 145 persona, kërkesat e të cilëve janë miratuar nga komisionet komunale.

“Ne kemi miratuar 16 prej rasteve ekzistuese, janë dhënë tetë leje dhe po fillojmë të ndërtojmë shtëpi për të kthyerit. Përveç kësaj, ne kemi 15 shtëpi në të cilat Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) po punon këtë vit, nëntë tashmë janë afër përfundimit, gjashtë kanë mbetur për t’u ndërtuar”, tha ministri Rashiç.

Ministria për Komunitete dhe Kthim nuk ka informacione për numrin e serbëve që janë larguar nga Kosova në të njëjtën periudhë apo vite më parë, megjithëse ministri Rashiç ka shprehur shpresën se të gjithë personat që janë larguar nga vendi do të kthehen dhe të qëndrojnë përgjithmonë në Kosovë.

Ai ndër të tjera ka pohuar se në periudhën paraprake kur kryetari i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve të Kosovës – Goran Rakiç ishte në krye të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, ka pasur shumë parregullsi në punë dhe menaxhim të parasë publike.

“Nga buxheti i vogël që ka mbetur, që duhet të jetë në këtë rast tre milionë për investime kapitale, shohim që një milion e treqind kanë tepruar. Ju garantoj se ky është një precedent dhe se nuk ka ndodhur që dikush të lejojë një milion e treqind mijë nga një buxhet kaq modest dhe i vogël të kthehet në tepricë”, tha ministri Rashiç.

“Fatkeqësisht, është buxheti më i vogël nga të gjitha ministritë. Mund të flas me ju për një kohë të gjatë se si ndodhi që paraardhësi im lejoi që një ministri, që për mendimin tim është shumë e rëndësishme dhe që mund të jetë më e rëndësishmja, ka buxhetin më të vogël”, ka shtuar ai.

Rashiç nuk ka dashur të komentojë raportin e auditorit, sipas të cilit, në periudhën 2017-2022, Ministria për Komunitete dhe Kthim ka ndërtuar pothuajse 200 shtëpi me çmime të larta dhe joreale dhe ku përmendet se materialet e ndërtimit janë paguar për më shumë se 800 mijë euro në krahasim me çmimet reale të tregut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore