Lajme

Raporti i OKB -së për klimën rrit presionin mbi Biden-in


Raporti i ashpër i OKB –së i cili tregoi se njerëzimi ka shkaktuar ndryshime të pashembullta në disa raste “të pakthyeshme” në klimë, ka shtuar presionin mbi presidentin amerikan, Joe Biden për të miratuar njё legjislacion të rëndësishëm.

“Mezi presim të trajtojmë krizën klimatike. Shenjat janë të pagabueshme. Shkenca është e pamohueshme dhe kostoja e mosveprimit vazhdon të rritet”, tha Biden pas publikimit tё raportit.

Raporti i IPCC, një kombinim i 14 mijё studimeve i zhvilluar gjatë tetë viteve të fundit, tregon se SHBA-ve dhe pjesës tjetër të botës po i mbaron koha e shmangies së ndikimeve katastrofike në klimë, me pragun kritik global të ngrohjes prej 1.5 gradё Celsius, e që sipas ritmeve aktuale mund thyhet potencialisht brenda një dekade.

“Nuk është një problem i së ardhmes, por aktual. Unë po e shoh ndryshimin e klimës nga dritarja ime dhe në mushkëritë e mia”, tha Linda Mearns, një bashkautore e raportit të IPCC e vendosur në Boulder, Colorado, prezente nё zjarret e javëve tё fundit.

Mearns, e cila ka qenë e përfshirë në raportet e IPCC që nga viti 1990, i quajti ngjarjet e fundit natyrore “shumë tё rënda”, e që kërkojnё një përgjigje të menjëhershme.

“Nuk jam e sigurt se çfarë do t’u kërkohet njerëzve që tё bёjnё, por shpresoj që tё gjithë në Glasgow të të nxiten qё të përmbushin marrëveshjet e tyre”, shtoi ajo duke iu referuar mbajtjes së bisedimeve të OKB -së për klimën në tetor.

Pjesa më e madhe e veprimit global do të varet nga përgjigja e SHBA-ve, emetuesi i dytë më i madh i karbonit në botë.

Fusha e veprimtarisë së Biden për të ulur në mënyrë drastike emetimet varet nga miratimi i projekt-ligjit prej 3.5 trilionё dollarësh që demokratët shpresojnë të miratojnë para zgjedhjeve afatmesme të vitit të ardhshëm, kur partia mund të humbasë kontrollin e Kongresit.

“Kongresi nuk miratoi një projektligj për klimën në vitin 2009 dhe u desh mbi një dekadë për ta kthyer prёsёri atё”, tha Leah Stokes, një eksperte e politikës klimatike në Universitetin e Kalifornisë, Santa Barbara.

“Kjo verë është shansi më i mirë pёr ta miratuar atë. Presidenti Biden është gati të bëhet presidenti i klimës që na nevojitet. Nuk ka më dekada për të humbur”, vijoi ajo.

Stokes është “optimiste” se projektligji përmban dy masa kritike klimatike qё do tё ndihmojnë SHBA-të pёr të zvogëluar emetimet e karbonit në gjysmën e kësaj dekade. Njëra pёrfshin skemën për të ndihmuar ndërmarrjet nё heqjen graduale tё karburanteve fosile nga rrjeti i energjisë elektrike dhe inkurajimin e energjisë sё rinovueshme me makina elektrike.

Masat do të kenë nevojë për mbështetjen e të gjithë demokratëve të Senatit, përfshirë Joe Manchin dhe Kyrsten Sinema, të cilët kanë shprehur dyshime mbi fushëveprimin e projektligjit.

Republikanët, të cilët kanë qenë prej kohësh aleatë nё industrinë e karburanteve fosile duke kundërshtuar çdo veprim domethënës për të shmangur emergjencën klimatike, janë njëlloj kundër ligjit.

Raporti i IPCC ka nxjerrё në pah gjithashtu rritjen e metanit, një gaz i fuqishëm i serës, i prodhuar nga shpimet e naftës dhe gazit, si dhe nga bujqësia e kafshëve.

Qeveria federale po shqyrton kufizime të reja për të, megjithëse leje të reja për shpime po lёshohen ende.

Shkencëtarët, gjithashtu, kanë bërë thirrje që paralajmërimet e tyre të përsëritura mbi krizën klimatike, aq shpesh të eklipsuara nga politika dhe gënjeshtrat e përhapura nga industria e karburanteve fosile, të dëgjohen nga ligjvënësit amerikanë.

“Ka vërtet një mesazh kyç që ka dal nga ky raport: jemi mbrapa nё kohë”, tha Kim Cobb, një shkencëtar i klimës në Georgia Tech.

Raporti po ashtu tregoi se niveli i detit do të rritet të paktën 30 centimetra e gjysmë deri në fund të shekullit, duke rrezikuar qytetet bregdetare amerikane që tashmë po luftojnë me përmbytjet në rritje.

Rritja mund të shkojë edhe mbi 200 centimetra nëse fleta e akullit të Antarktikut shembet më shpejt nga sa pritet.

Perëndimi i SHBA-ve tani është goditur nga thatësira e zgjatur, nxehtësia e jashtëzakonshme dhe zjarret e mëdha dhe raporti i IPCC paralajmëron se të gjitha këto fenomene do të përkeqësohen, me valë të nxehta të rrezikshme që dikur do të kishin ndodhur çdo 50 vjet e që tashmë do të bëhen më të zakonshme me një shpeshtёsi njё herë në pesë vjet.

“Reagimi i dobët nuk ka të bëjë më me mungesën e provave shkencore, por lidhet drejtpërdrejt me mungesën e vullnetit politik dhe ndikimin dërrmues të industrisë së karburanteve fosile”, deklaroi Kristina Dahl, shkencëtare e lartë e klimës në Unionin e Shkencëtarëve të Shqetësuar.

“Shkencëtarët e kanë bërë punën e tyre. Ka ardhur koha që politikëbërësit të bëjnë të njëjtën gjë ”

Ky artikull është marrë dhe përshtatur nga The Guardian për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore