Shqipëria

Rama: Synimet me Kurtin të njëjta, mënyrat të ndryshme


“Synimin e kemi njësoj. Unë kam mënyrë të ndryshme nga Albin Kurti përsa i përket rezultatit final, por që të arrihet rezultati final – jam komplet i bindur, skam dyshim, pasi kemi fakte ku e çoi Kosovën barrikadimi. Kjo ka vite, se ka bërë Albini”.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka folur sërish mbi çfarë e bashkon dhe e ndan atë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i ftuar në një emision televiziv mbrëmjen e 2 shtatorit.

Këtë deklaratë ai e lidh me mospranimin e qeverisë së Republikës së Kosovës në marrjen pjesë të “Open Balkan”.

“Nuk afrohet paqja nëse ne bëjmë barrikada. Me barrikada ne nuk arrijmë dot ta sjellim Serbinë aty ku ne synojmë”.

Rama duke iu referuar Ballkanit të Hapur thekson faktin se, “dialogu, i cili zhvillohet në një atmosferë mbylljesh ka shumë më pak rezultate pozitive. Nuk jemi në luftë dhe as në paqe përfundimtare pasi Serbia nuk e njeh Kosovën”.

Më tej Rama vijon duke bërë thirrje për t’u ulur në tryezë pasi, “duhet punuar në të gjitha ato pika që është e mundur, që paqja përfundimtare të afrohet”.

Ndërkohë sipas Ramës, “prej vitesh në Kosovë politika e jashtme po bëhet e brendshme dhe anasjelltas, duke i bërë gjithmonë e më nervozë partnerët ndërkombëtarë”.

Për kreun e qeverisë shqiptare çështja është që marrëdhëniet të shkojnë drejt zgjidhjes pasi është qasje diplomatike.

“Nuk është një qasje që imiton luftën dhe luftë nuk është”, theksoi ai.

Rama më herët theksoi faktin se, “Open Balkan është interes strategjik i kombit shqiptar. Shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë”.

Shqetësues për të është fakti se, “serbët sot janë në tavolinë dhe ikin kosovarët”. Kryeministri dha një mesazh të qartë të zbatimit të katër lirive mes vendeve që, “nuk negociohet, nuk diskutohet, kjo do të bëhet”.

Katër liritë, sipas tij kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë të njerëzve, kapitaleve, shërbimeve dhe mallrave. Pra nuk do të kufi për lëvizjen e shtetasve të vendeve në Ballkanin Perëndimor.

Open Balkan

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, homologu i tij maqedonas, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të enjten e 29 korrikut u mblodhën në Shkup për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal.

Krerët konkretizuan dy marrëveshje të reja, në kuadër të implementimit të katër lirive themelore të Bashkimit Evropian.

Dy marrëveshje të reja dhe një memorandum, i cili do të nënshkruhet përfundimisht në një vend të dytë, u firmosën nga tre krerët e tre shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Marrëveshja e parë dhe më e rëndësishme është ajo e tregtisë së lirë midis tre vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në vitin 2023 do të hyjë në fuqi kalimi tërësisht i lirë i qytetarëve dhe mallrave midis Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Korsi të shpejta” do të quhen pikat e dedikuara doganores, për të lejuar lëvizjen e lirë midis tre shteteve. Pritet që janari i vitit 2023 të faktojë marrëveshjen dhe të lejojë lëvizjen e lirë.

Marrëveshja e dytë është ajo në kuadër të “agjendës së gjelbër”.

Në të përfshihet mbrojtja dhe shpëtimi nga katastrofat natyrore për Ballkanin Perëndimor. Kjo agjendë synon njëkohësisht njehsimin me atë evropiane.

Memorandumi i përket lirisë së punës në tre vendet. Për shkak se Serbia dhe Maqedonia e Veriut ende nuk e kanë përshtatur legjislacionin me atë të Shqipërisë, pritet që ky memorandum të kthehet në marrëveshje, pasi dy vendet e tjera ta kenë përafruar ligjin.

Kur më pas të kthehet në marrëveshje dhe të hyjë në fuqi, qytetarët e tre vendeve nuk do të kenë më pengesa në gjetjen e punës midis tre shteteve. Pra, një koncept tërësisht identik me atë të Bashkimit Evropian.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore