Shqipëria

Rama publikon shifrat; Shqipëria me numrin më të ulët në rajon për raste të reja, por duhet edhe pak durim


Kryeministri Edi Rama ka ilustruar nëpërmjet një grafiku nga revista shekncore Our World in Data, se Shqipëria është vendi i renditur më mirë në rajon për raste të reja me Covid-19.

“Krenar për Shqipërinë”, shkruan kryeministri në Facebook. “Por, duhet akoma durim, edhe pak”.

Në bazë të grafikut, vihet re se Shqipëria ka një ulje të madhe të rasteve të reja ditore që prej fundit të shkurtit. Në atë periudhë, Shqipëria ka qenë në mesataren e rajonit. Por, më pas, fillon një ulje e madhe.

Duke qenë se skema tregon shifrat për 1 milion banorë, një krahasim është bërë edhe me vendet e Bashkimit Evropian. Bie në sy se Franca ka numrin më të lartë të rasteve të reja për 1 milion banorë. Italia, Spanja dhe Gjermania, janë të rreshtuara më mirë, por sërish larg Shqipërisë.

Për sa i përket Ballkanit, Kroacia dhe Serbia janë dy vendet e renditura me numrin më të lartë të rasteve të reja për milion banorë. Maqedonia e Veriut, Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Herzegovina dhe Greqia renditen në rend. Sërish, Shqipëria është e renditur shumë më mirë se sa vendet e tjera ballkanike.

“Shikojeni çfarë po ndodh në vendet fqinje ditët e fundit”, vijon postimin e tij Rama.

Grafiku i Our World in Data tregon se Shqipëria është vendi me numrit më të ulët të rasteve për milion banorë

Disa ditë më parë, kryeministri ka theksuar gjithashtu edhe faktin se një pjesë e mirë e Ballkanit dhe Evropës, po marrin masa shtrënguese. Shqipëria ndërkaq, po merr masa lehtësuese drejt një rihapjeje të mundshme.

Por, sërish, rreziku mbetet i madh, edhe pse fushata e vaksinimit në Shqipëri gjatë javëve të fundit ka qenë e suksesshme.

“Ju lutem, kujdes të vazhdueshëm. Po dalim nga tuneli i pandemisë, por ka edhe pak rrugë”, apeloi kryeministri në mbyllje të postimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore