Shqipëria

Rama: Përballuam reshjet me sukses


“Sasia e reshjeve, me të cilat u përballëm, ishte e lartë, por arritëm ta përballojmë me sukses situatën”.

Kryeministri Edi Rama, në një dalje me ministrin e Mbrojtjes dhe atë të Bujqësisë, deklaroi se menaxhimi i situatës së reshjeve të fundit në vend ka qenë i mirë. Kjo, “duke marrë parasysh sasinë e madhe të tyre”.

Rama ka pranuar se “probleme ka pasur nga liqeni i Shkodrës deri në lumin Vjosë. Pavarësisht kësaj, ai ka shtuar se “nuk ka pasur dëme të mëdha”. “Kjo i atribuohet punës së përditshme dhe të përvitshme që është bërë. Të gjitha hallkat kanë funksionuar. Që nga ministri i Mbrojtjes, deri tek kryeplakët e fshatrave, të gjithë kanë qenë në lëvizje”, shtoi ai.

Rama ka vënë theksin edhe tek investimet e bëra në sektorin e kullimit. Sipas tij, emergjencat civile, kanë qenë gjithashtu në nivel të lartë gatishmërie. “Kemi forcuar strukturat e emergjencave civile këto vite. Kjo vihet re në punën e tyre”, bëri me dije Rama.

Përsa i përket probleme të shkaktuara, kryeministri ka thënë se “mungesa e Skavicës, penalizon kaskadën e Drinit”. “Po punohet për Skavicën”, deklaroi ai. “Mandatin e ardhshëm do të jetë realitet”.

Akuza të shumta janë hedhur ndaj qeverisë nga eksponentë të opozitës mbi menaxhimin e situatës. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi se zona e veriut është neglizhuar tërësisht. Mbi të gjitha, në Lezhë, situata është kritike.

Nga ana tjetër, Rama, është mbrojtur duke thënë se “në krahasim me përmbytjet e 2010-ës, situata e sotme nuk ka krahasim”./AlbanianPost.com

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore