Shqipëria

Rama: Reformat jo për BE, por për fëmijët tanë


“Nuk i bëjmë këto reforma sepse i kërkoni ju, i bëjmë sepse u detyrohemi fëmijëve tanë, gjeneratave të reja. Bashkimi Evropian është një bekim, edhe pse mund të ndihet si mallkim në këto çaste. Nuk ka asgjë në të ardhmen tonë me më shumë rëndësi se sa BE-ja”.

Ky ka qenë mesazhi i kryeministrit shqiptar, Edi Rama, në konferencën për shtyp pas mbledhjes së Stabilizim-Asocimit në Bruksel.

“Jam i lumtur që dëgjoj nga ju çfarë kemi dëgjuar shumë herë”, i është referuar Rama fjalës së Josep Borrel, ministrit të Punëve të Jashtme në BE. “Shqipëria ka bërë gjithçka për të pasur konferencën e parë ndërqeveritare. Mund të ndodhë, mund të mos ndodhë, por me rëndësi ka që ne kemi bërë punën. Jemi shumë të kujdesshëm për të dëgjuar punën e komisionit”.

Kryeministri ka ritheksuar faktin se Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit ndryshe nga 140 vende të tjera që po vuajnë pasojat e pandemisë.

“I vlerësojmë përpjekjet e bëra nga komisioneri, për të qenë në anën tonë në këtë çast kaq delikat. Shqipëria dhe rajoni u lanë mënjanë në shpërndarjen e vaksinave. Ishte një çast tronditës për ne, pasi siç e dinë të gjithë, nuk jetojmë në kufi me BE-në, jetojmë brenda, por jemi të rrethuar në rajonin tonë nga kufijtë e BE-së”.

Kryeministri ka ritheksuar faktin se Shqipëria ka nisur procesin e vaksinimit ndryshe nga 140 vende të tjera që po vuajnë pasojat e pandemisë.

“Periudha tranzitore e marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit përfundoi më 31 mars 2019 dhe prej 1 prillit 2019, Shqipëria është plotësisht e asociuar me Bashkimin Evropian”.

Mbledhja me dyer të mbyllura

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është duke zhvilluar një mbledhje me dyer të mbyllura në takimin e 11-të të Këshillit të Stabilizim-Asocimit.

Albanian Post ka siguruar, nëpërmjet burimeve konfidenciale, pjesë nga deklarata e kryeministrit Rama në Bruksel.

Sipas këtyre burimeve, mund të thuhet pa hezitim se kushtet e vendosura nga Këshilli Evropian në mars të vitit 2020, në pikëpamjen e konferencës së parë ndërqeveritare, janë plotësuar!

Ndër të tjera, ai ka bërë me dije se Shqipëria është fuqimisht e përkushtuar për të çuar përpara rrugën drejt Evropës. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është lënë si i vetmi orientim strategjik.

Rama ka veçuar rritjen e përpjekjeve dhe përmbushjen e kushteve të kërkuara nga BE-ja.

Kreu i qeverisë ka folur mbi plotësimin e kushteve të 12 pikave. Kodi Zgjedhor u rishikua më 23 korrik 2020. Ai përmbush të gjithë kërkesat e OSBE/ODIHR-it.

Reforma në drejtësi ka shkuar përpara. Gjykata Kushtetuese plotësoi kuorumin dhe filloi punë. Gjykata e Lartë gjithashtu. Lufta ndaj korrupsionit është intensifikuar.

Të gjitha këto janë përmendur edhe më parë nga kryeministri. Ai tashmë po i adreson edhe përpara përfaqësuesve evropianë.

Një konferencë për shtyp pritet të jepet rreth orës 14.00, ku do të bëhen të qarta qëndrimet mbi hapat drejt hapjes së negociatave Shqipëri-BE.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore