Shqipëria

Rama: Garanci sovrane për furnizimin me produkte – nëse nuk shiten, stokun e blen shteti


“Ne kemi vendosur garancinë sovrane, që ju të mund të merrni dhe ta përdorni me garanci të plotë të shtetit çdo kredi për të marrë edhe më shumë furnizim se zakonisht, për ta pasur më afatgjatë me mirëkuptimin e shkruar që çdo gjë që do të mbetet, do ta marrë shteti”.

Ishte kjo deklarata e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në takimin me eksportues dhe importues të mallrave të shportës.

Më tej, ai bëri me dije se, nëse produktet do të mbeten stok, ato i blen shteti.

Gjatë fjalës së tij, ai tha se lufta në Ukrainë ka ndikuar te të gjitha marrëdhëniet tregtare.

“Lufta në Ukrainë ka cenuar krejt zinxhirin e marrëdhënieve tregtare në Evropë e në botë”.

Rama deklaroi se krijimi i dy bordeve për të adresuar krizën është një përpjekje antisistem.

“Nuk është e këshillueshme kur kemi zgjedhur këtë lloj ekonomie, që shteti të ndërhyjë për të përcaktuar marzhe, për të vendosur tavane. Ndaj, ne e kemi bërë në mënyrë të sjellshme ndaj sistemit”.

Kreu i qeverisë ravijëzoi se “bizneset e mëdha duhet të investojnë në vetëprodhim të energjisë pa pretenduar që të bëhen prodhues për gjithë sistemin, pasi kjo pastaj konsiderohet e rrezikshme për sistemin”.

Ai përsëriti domosdoshmërinë për të vazhduar garantimin e furnizimit me energji dhe qëndrimin me çdo kusht në çmimin që është për të mos rritur energjinë.

“Nëse vjen një moment që nuk do e mbajmë si premtim, do të japim argumentet. Mbajtja ka ndikim të jashtëzakonshëm në buxhet”.

Në diskursin e tij ishte dhe bujqësia.

Sipas Ramës, në periudhën janar-shkurt eksportet e prodhimeve bujqësore janë rritur me 14% në krahasim me një vit më parë.

“Do të mbështesim bujqësinë me naftën pa taksa”.

Për kryeministrin, problemi me naftën është gjithmonë e më i mprehtë për të garantuar sasi.

Sipas tij, ulja e ndjeshme e përpunimit të deklaratave doganore, për t’i kursyer kohë dhe kosto biznesit, ka ndikuar tejet pozitivisht në lehtësimin e barrës së kësaj krize.

“34 shërbimet që ofrohen online aktualisht në doganë kanë ndryshuar rrënjësisht cilësinë e shërbimit doganor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore