Lajme

Rafuna: Trusti të mos tërhiqet, të bëhet ngritja e pagave


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna në vend të tërheqjes së Trustit, ka kërkuar rritjen e pagave.

Pas rritjes së çmimeve në produktet esenciale, sipas tij, kjo do të duhej të bëhej për të zbutur krizën aktuale në Kosovë.

“Kish me qenë e rrugës së duhur ngritja e pagave, minimumi në vlerën e inflacionit në mënyrë që qytetarët ta ndiejnë më pak çështjen e inflacionit”, ka thënë Rafuna për agjencinë e lajmeve Ekonomia Online.

Ai konsideron se Trusti nuk duhet të preket, prandaj edhe duhet të gjenden forma të tjera që ndihmojnë qytetarët në këtë periudhë.

“E mira kishte me qenë që Trusti të mos preket. E mira kishte me qenë të gjinden forma tjera për t’u ndihmuar nëpërmjet paketave të ndryshme nga Qeveria e vendit”.

Trusti.

“Në mungesë të saj qytetarët janë të detyruar ta kërkojnë tërheqje e Trustit, që sa më pak të ndiejnë efektin e inflacionit”, sqaroi Rafuna.

Nisma për tërheqjen e Trustit është proceduar për në Kuvendin e Kosovës, të mërkurën.

Ky vendim është marrë në Komisionin për Buxhet i cili ka shqyrtuar në parim Projekligjin për plotësim dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet pensionale të Kosovës, më të cilin është kërkuar tërheqja e 30% e kursimeve pensionale të qytetarëve.

Për të përcjellur projektligjin në Kuvend kanë votuar pro 4 deputetë, kundër kanë votuar 3, ndërsa 2 kanë abstenuar.

Në këtë mbledhje guvernatori i Bankës Qendror të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshës së pensionimit.

“Për pensionet e bazuara në kursim, që veprojmë në emër të pjesëmarrësve dhe shpenzuesve, ka për qëllim grumbullimin dhe të sigurojë pensionet kontribuuese në rast se e arrijnë moshën 65 vjeçare. Qëllimi i kontributeve pensionale është që të ofrojë mirëqenie pas moshën së pensionimit”, ka theksuar Mehmeti.

Ndërsa drejtori i Trustit, Adrian Zalli, deklaroi se nëse projektligji kalon në Kuvend, rreth 600 milionë euro do të tërhiqen.
Sipas propozimit të PDK-së, i cili nuk ishte aprovuar në Kuvend, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale kërkohet që të kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.Ata që kanë deri 20 mijë euro – 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 mijë – 20 për qind.

Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh – 15 për qind dhe ata mbi 40 mijë euro – 10 për qind të shumës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore