Lajme

Qeveria miraton koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran


Qeveria e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka miratuar draft koncept-dokumentin për themelimin e Fondit Sovran në mbledhjen e ekzekutivit të mërkurën.

Gjatë prezantimit, kreu i ekzekutivit ka thënë se me të do të bëhet transformim ekonomik e se do të ketë riorientim të investimeve dhe rritje të punësimit.

Ndryshe, themelimi i fondit sovran ka qenë ndër premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në fushatë.

Me këtë premtim është synuar shuarja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Sipas premtimeve, ky fond do t’i marrë nën pronësi asetet strategjike të Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë për investimet në rritjen e vlerës së tyre.

“Brenda Fondit do të themelohet komponenti kreditues i cili do të financohet nga paratë publike, Fondi i privatizimit dhe shitja e letrave të borxhit, dhe që do të investojë në degë të caktuara të industrisë që krijojnë vende pune e zbusin bilancin tregtar duke u përqendruar në rritjen e eksporteve e zëvendësimin e importeve”.

Qeveria e Kosovës.

Tutje, thuhej se fondi do t’i vë në dispozicion 200 milionë euro për investime në ndërmarrje të reja.

“Plani zhvillimor do të bashkërendohet nga Agjencia Zhvillimore e Kosovës. Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet. Ndërmarrjet nën menaxhimin e saj do t’i kalojnë në pronësi Fondit Sovran”, thuhej në zotimet e Vetëvendosjes.

Ndahen 50 mijë euro mbështetje për shqiptarët në Luginë të Preshevës

Gjithashtu, Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë edhe 50 mijë euro për të mbështetur shqiptarët në Luginë të Preshevës.

Siç ka bërë të ditur kryeministri Albin Kurti, ndarja e mjeteve është me qëllimin e përkrahjes së kërkesës së Këshillit Nacional Shqiptar në Serbi.

Qeveria po ashtu ka emëruar bordet e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Ujësjellësit “Prishtina” dhe “Mitrovica”.

Për KRU “Prishtina” janë zgjedhur: Teuta Ukshini-Aliu, kryesuese dhe anëtarë Albana Berisha-Qehaja, Fadil Berisha dhe Saxhide Mustafa. Për KRU “Mitrovica” anëtarë të Bordit janë zgjedhur Kumrije Kelmendi-Aliu për kryesuese, dhe Bashkim Halabaku, Zijadin Lutolli dhe Miranda Zherka për anëtarë.

Qeveria e Kosovës ka emëruar edhe Besim Jasharin, zëvendësdrejtor për shërbime administrative financiare në Agjencinë e Shërbimit të Navigacionit Ajror (AShNA).

“Agjencia e ka përgjegjësinë për ruajtjen e sigurisë, roli i zëvendësdrejtorit është i rëndësishëm duke marrë parasysh fushëveprimin”, tha Kurti.

Ndërsa, për nder të Ditës Botërore të Fëmijëve, ekzekutivi ka vendosur për themelimin e Komisionit Ministror për memorialin për fëmijët e vrarë gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë.

“Në ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, përkujtojmë fëmijët e vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë mbledhje propozoj të themelohet Komisioni ministror. Ky komision do të kryesohet nga unë”.

Ai ka prezantuar edhe anëtarët që do jenë pjesë e këtij komisioni.

“Ministria e Drejtësisë do të jetë anëtare, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor anëtar, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve do të jetë anëtar. Do të trajtoj këtë nismë me seriozitetin që e meriton”, ka deklaruar Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore