Lajme

Qeveria: Lajçak’u na prezantoi disa modele për rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo për Asociacionin


Miroslav Lajçak

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka konfirmuar se i deleguari special i Bashkimit Evropian në takimin e fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i ka prezantuar këtij të fundit 15 modele evropiane mbi rregullimin e të drejtave të minoriteteve, jo për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

Sipas tij diplomati sllovak ka bërë të ditur se nga këto 15 modele Kosova mund të gjej inspirimin.

Kryeziu ndër të tjera ka bërë të ditur se Lajçak nuk i ka kërkuar Qeverisë të zgjedhin një nga ato 15 modele, por disa nga ato, ato të cilat reflektojnë standardet e Këshillit të Evropës, dhe që do të mund të shërbejnë si referencë apo orientim për një propozim për të drejtat e minoriteteve i cili mund të jetë i aplikueshëm, i pranueshëm për Kosovën, dhe në përputhje me parimin e vënies në fokus të të drejtave të anëtarëve të një komuniteti.

“Qeveri do t’i analizojë veçoritë dhe karakteristikat si dhe përshtatshmërinë e atyre modeleve. Gjithmonë duke qenë në respektimin të kushtetutshmërisë se vendit, pa kompetenca ekzekutive dhe një që nuk përbën nivel të tretë të qeverisjes”, ka thënë Kryeziu.

Ndryshe më 6 mars, Albanian Post, pati raportuar se Qeveria e Kosovës, gjegjësisht kryeministri i Kosovës, Albin Kurtit, i janë prezantuar afër 20 modele të llojeve të ndryshme të autonomive, vetë-qeverisjeve e zonave vetë-menaxhuese në shtete të ndryshme të Evropës janë shqyrtuar për të gjetur organizimin e përshtatshëm për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.

Sipas raportimit të Albanian Post asnjë nga këto modele të prezantuara nuk do të replikohen në tërësin e tyre, për shkak të konteksteve të ndryshme, specifikave dalluese dhe rrethanave të tjera do të bëhet një kombinim modelesh, varësisht se si pajtohen palët.

Ideja qendrore është që të ruhet karakteri unitar i shtetit të Kosovës dhe burimet për Albanian Post thonë se do të ketë kombinim në mes të modeleve që përbëjnë autonomi territorial dhe jo territoriale, zona vetë-menaxhuese dhe kombinime të tjera.

Modelet që janë shqyrtuar janë nga Italia, Finlanda, Spanja, Danimarka, Portugalia, Norvegjia, Gjermania, Franca dhe Belgjika.

Janë afër 20 duke filluar nga Ishujt Aland dhe Asambleja apo Parlamenti i popullit Sami në Finlandë, pastaj komuniteti autonom i Baskëve në Spanjë, apo siç njihet Euskadi dhe Katalunia.

Më pas Ishujt Faroe në Danimarkë dhe në Itali Tiroli Jugor, Trieste, Sardinia, Lugina Aosta, kurse Azores dhe Madaira në Portugali.

Gjithashtu është shqyrtuar edhe arkipelagu i Svalbard-i që i takon Norvegjisë, kurse nga Gjermania janë tri modele: Heligoland, Schlesëig dhe Autonomia e Sorbëve në Saksoni.

Modelet e shqyrtuara nga Franca janë ishulli i Korsikës dhe Alzazi që është në kufi me Gjermaninë dhe Zvicrën.

Modeli i fundit është Komuniteti Federal i Gjermanëve në Belgjikë apo Komuniteti Gjermanisht-folës i Belgjikës që përbën një nga tri komunitetet federale në Belgjikë.

Disa nga këto modele paraqesin autonomi të fuqishme me të drejta shumë të mëdha dhe nivele tejet të fuqishme pushteti brenda shteteve respektive, kurse disa të tjera janë pa nivele pushteti të veçanta, por më shumë vetëm njohje simbolike e një kulture të veçantë që dallon nga popullsia shumicë.

Ekskluzive: Të gjitha modelet evropiane që u shqyrtuan për të formuar Asociacionin “sui generis” në Kosovë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore