Kosova

Qeveria kërkon zgjatjen e masave emergjente për energjinë, Opozita: Keni sjellë paralizë


Kuvendi i Kosovës.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, gjatë seancës në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për vazhdimin e masave emergjente të energjisë, ka kërkuar nga deputet që ta votojnë propozim-vendimin e Qeverisë për zgjatjen e masave emergjente të furnizimit me energji.

“Për herë të parë shpalljen masave emergjente Qeveria e ka kërkuar në gusht. Meqë situata me energji nuk është përmirësuar qeveria ka marrë vendim për zgjatje edhe dy herë nga 30 ditë. Qeveria ka miratuar vendimin për zgjatjen e serishme të masave. Duke marrë parasysh krizën energjetike në Evropë, Qeveria i kërkon Kuvendit zgjatjen e masave emergjente për furnizim me energji”, ka thënë ajo.

Mirëpo, opozita e kundërshtoi Qeveirine duke thënë se me veprimet që kanë ndërmarrë kanë sjellur vetëm paralizë.

I vetmi veprim i Qeverisë, sipas deputit Besian Mustafa, është shpallja e gjendjes emergjente dhe asnjë përfitim për qytetarët.

“U shpenzuan mbi 100 milionë euro për energjinë elektrike dhe ende nuk kemi asnjë dritë në fund të këtij tuneli, në mes të gushtit filluan reduktimet e energjisë imagjinoni çka do të ndodhë në fund të këtij muaji e në shkurt e mars me reduktime”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se s’ka asnjë projekt, por ka vetëm krizë kronike energjetike, vetëm gjendje emergjente dhe asnjë opsion.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, tha para deputetëve që Qeveria s’ka marrë asnjë hap, përveç shpalljes së gjendjes emergjente.

Ferat Shala.

“Unë pajtohem që nuk ka ndryshim të gjendjes në tregun energjetik por nuk ka ndryshim as të menaxhimit. Neni 25 i cili po keqpërdoret i ligjit për energji e jep mundësinë e shpalljes së jashtëzakonshme. Por aty janë nenet pasuese për moskeqpërdorim të gjendjes”.

“Aty thuhet se kur kuvendi e vlerëson që ministrja dhe qeveria nuk po gjejnë zgjidhje hyn në fuqi pika 4 e nenit 25. Aty thuhet se Ministria pas marrjes së masave ka obligim nxjerrjen e akteve ligjore për krijimin e legjislacionit sekondar, por asnjë veprim nuk është marrë deri më tash te qeveria në këtë drejtim, vetëm shpallje te gjendjes emergjente dhe asgjë tjetër”.

Ndërsa, miratimin e këtyre masave e ka rekomanduar edhe Komisioni për Ekonomi.

Më 8 nëntor, ministrja Rizvanolli, në seancën e Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për gjashtë për qind krahasuar me vitin 2021.

Ajo këtë deklaratë e kishte bërë pas propozimit të vendimit të Qeverisë 2022 për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Mirëpo, opozita i kishte kundërshtuar masat emergjente në atë kohë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore