Lajme

Rizvanolli thotë se ka ulje të konsumit të energjisë, opozita kundërshton masat emergjente


Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në seancën e Kuvendit të Kosovës ka deklaruar se ka ulje të konsumit të energjisë elektrike për gjashtë për qind krahasuar me vitin 2021.

Ajo këtë deklaratë e ka bërë pas propozimit të vendimit të Qeverisë 2022 për zgjatjen e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

“Krahasuar me vitin e kaluar kemi ulje të konsumit të energjisë elektrike mbi 6%. Gjatë periudhës janar-shtator 2022, që është një trend pozitiv i cili nëse vazhdon do të na ndihmojë në kalimin më të lehtë të krizës energjetike”, është shprehur Rizvanolli.

Ndërkaq, ka thënë se aktualisht janë dy blloqe në remont.

Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ferat Shala, ka thënë se akoma nuk është paraqitur asgjë konkrete për masat emergjente nga Qeveria.

“6 herë radhazi, 6 herë shmangie procedurale, 6 herë nuk paraqiten raport zyrtarisht nga kjo ministri që I paraqitet Kuvendit dhe qytetarë se cilat janë efektet e masës emergjente. Ju them me përgjegjësi të plotë qe ne do e prisnim shumë mirë nëse do të sjellni një ligj të konsiliduar që do të bënte vlerësimin e situatës, sfidat energjetike me të cilat vendi i ka”.

Ferat Shala (PDK).

Sipas tij, masat që po sjell Qeveria nuk janë produktive.

“Nuk është produktive mënyrë se si Qeveri po silleni, me përgjegjësi në kushte normalitete keni mundur të i nxjerrin pasi askush nuk e ndalon qeverinë të subvencionoj qytetarët. Jeni mbetur të peletit, ju them me plotë bindje se peleti nuk i plotëson as 2 për qind të nevojave të qytetarëve”.

Shala kërkoi nga Qeveria që “telekomodia duhet të ndalohet”.

Edhe deputetja nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Valentina Bunjaku, është paraqitur kundër masave emergjente.

“Është hera e gjashtë që ka ardhur i njëjti arsyetim për shtimin e masave emergjente, por këto masa nuk po bëjnë zgjidhje për qytetarët. Cili është plani juaj si qeveri kur ju vetë keni deklaruar se do të kemi një dimër me reduktime të mëdha. Ne jemi kundër masave emergjente”.

“Projektligji për pagat nuk erdhi akoma, keq me të gjitha sindikatat dhe me këtë kërkesë ju dëshironi të legjitimoni edhe energjinë”.

Kurse ka shtuar se strategjia të cilën Qeveria e kishte propozuar akoma nuk është sjellur në Kuvend.

Deputetet në këtë seancë kanë votuar për vazhdimin e masave emergjente të energjisë.

Prej 92 deputetëve të cilët kanë marrë pjesë, 65 prej tyre kanë votuar pro këtij vendimi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore