Lajme

Qëndrim Gashi nderohet nga Franca me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit”


Qëndrim Gashi, Ish Ambasadori i Kosovës në Francë dhe Emanuel Macron, Presidenti i Francës

Ish Ambasadori i Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi, u nderua me urdhrin Komandant i Legjionit të Nderit.

Urdhri i ndarë nga Presidenti Macron, iu dorëzua Ambasadorit Gashi të enjten mbrëma në një ceremoni të veçantë në Ambasadën e Francës në Prishtinë.

Siç njofton ish-ambasadorja e Kosovës në Washington, Vlora Çitaku, titullin e Komandantit të Legjionit të Nderit e kanë vetëm dy njerëz të tjerë.

“Qëndrimi është mbase personi më i ri në moshë që ka këtë titull. E mes shqiptarëve, për aq sa kam njohuri, titullin e Komandantit të Legjionit të Nderit e kanë vetëm Ismail Kadare dhe Edi Rama. E nga sot, edhe Qëndrimi i Kosovës! Çfarë nderi për ne”, shkroi Çitaku në Twitter.

Nga detyra e përfaqësuesit diplomatik të Kosovës në Francë, Gashi ishte liruar vitin e kaluar nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Qëndrim Gashi ishte emëruar ambasador në Francë më 2016, sipas tij me nismën e ish-presidentes, Atifete Jahjaga.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore