Zgjedhjet në Kosovë

PZAP: Mijëra euro dënime për partitë që thyen rregullat zgjedhore


Ilustrim

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe parashtresa (PZAP) ka gjobitur partitë politike për shkelje të ndryshme në fushatën para zgjedhjeve të 17 tetorit.

Lidhja Demokratike e Kosovës është paditur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 6 mijë e 500 euro për shkelje të ndryshme, nga përdorimi i personave nën moshën 15-vjeçare për përfitime elektorale e deri te thyerja e heshtjes zgjedhore.

“LDK-ja në Lipjan është gjobitur me 2mijë e 500 euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes, me rastin e përdorimit të personave të moshës nën 15-vjeçare me qëllim të përfitimit elektoral”, thuhet në njoftimin e PZAP-së.

Ndërkohë “dy gjoba nga 800 euro ka marrë për thyerje të heshtjes zgjedhore, dhe një prej 1200 euro për thyerje të heshtjes zgjedhore nëpërmjet rrjeteve sociale”.

LDK-ja në Prishtinë është gjobitur me “1 mijë e 200 euro për vendosje të posterëve në hapësira publike, në shtyllë elektrike, me rastin e promovimit të subjektit dhe kandidatit për kryetar komune”.

Lëvizja Vetëvendosje është paditur nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) me 2 mijë e 400 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike.

Në vendimin e PZAP-it për ankesën me numër 619/2021, të publikuar të mërkurën, thuhet se “pranohet e bazuar ankesa e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) ndërsa subjektit politik LVV i shqiptohet dënimi me gjobë në lartësi prej 1 mijë e 200 euro për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes”.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se “me datë 15 tetor, LDK-ja ka parashtruar ankesë në PZAP me të cilën pretendon se në komunën e Podujevës, po me datë 15 tetor, aktivistët e saj kanë vërejtur se kandidatja e LVV-së për Kuvendin Komunal të Podujevës, Sebastiana Vokrri, ka shpërndarë baner, në hapësirë të palejuar”.

Edhe ankesa tjetër me numër 629/2021 ishte parashtruar po ashtu nga Lidhja Demokratike e Kosovës ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, për shkelje të Kodit të Mirësjelljes – Thyerje e Heshtjes Zgjedhore.

PZAP-i e ka pranuar ankesën si të bazuar dhe ka dënuar sërish LVV-në me gjobë në vlerë prej 1 mijë e 200 euro.

Në arsyetimin e PZAP-it për këtë vendim thuhet se “LDK-ja e ka paraqitur këtë ankesë në ditën e zgjedhjeve, më 17 tetor, përmes së cilës pretendohej se kandidati për Kuvend Komunal i LVV-së, Adem Breznica, ka dërguar SMS përmes të cilëve ka bërë thirrje për votim, duke shkruar “Dil Voto- 17 tetori është sot””.

Partia Demokratike e Kosovës është e detyruar nga PZAP-ja të paguajë gjobën prej 1 mijë e 200 eurosh për shkak të thyerjes së heshtjes zgjedhore.

Vetëvendosje e cila ka paraqitur rastin në PZAP ka thënë se “ka parë se në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, kandidati Amir Mustafa për Kuvend Komunal në Prishtinë nga PDK, ka vendosur material zgjedhor (poster) lidhur me fushatën zgjedhore të subjektit politik të tij”.

Gjobë i është shqiptuar edhe subjektit Partia Liberale Egjiptiane prej 300 eurosh, për thyerje të heshtjes zgjedhore, ndaj vetë kryetarit të këtij subjekti, Veton Berishës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore