Lajme

Punonjësi i bankës hapi zjarr lirisht, teksa ishte live në Instagram – Pesë persona mbetën të vrarë


Pesë persona vdiqën kur një punonjës hapi zjarr në një bankë në Louisville, Kentucky, dhe transmetoi drejtpërdrejt sulmin në Instagram.

Viktimat ishin të moshës nga 40 deri në 64 vjeç. Midis nëntë të tjerëve të plagosur, ishte një oficer policie, i cili ishte diplomuar në forcat blu vetëm dy javë më parë.

Oficeri u qëllua në kokë dhe është ende në gjendje kritike pas operacionit në tru.

Policia u përgjigj brenda tre minutave dhe qëlloi për vdekje sulmuesin në një shkëmbim zjarri.

Të shtënat ndodhën në Bankën e Vjetër Kombëtare në qendër të qytetit rreth orës 08:30 me atë lokale.

Caleb Goodlett, një qytetar i zonës, tha për mediat lokale se gruaja e tij, një punonjëse në bankë, u mbyll brenda kasafortës kur filloi sulmi.

Dëshmitarë të tjerë përshkruan se kishin parë shkëmbimin e zjarrit midis oficerëve të policisë dhe sulmuesit të vetëm.

Guvernatori i Kentucky-t, Andy Beshear tha se një “mik i jashtëzakonshëm” i tij, Tommy Elliot, një zëvendës-president i lartë në bankë, ishte mes viktimave.

“Tommy Elliott më ndihmoi të ndërtoj karrierën time si avokat, më ndihmoi të bëhesha guvernator, më dha këshilla për të qenë një baba i mirë”, tha Beshear në lot pas sulmit.

Një këshilltar bashkiak i qytetit, Anthony Piagentini, tha për gazetën Courier-Journal nga ana tjetër, se oficeri policor Wilt u diplomua nga akademia më 31 mars dhe se vëllai i tij është regjistruar në akademinë e policisë.

Kryetari i bashkisë së Louisville, Craig Greenberg, e quajti sulmin “një akt të lig të dhunës së shënjestruar”. Kryebashkiaku vuri në dukje se ai vetë ka qenë viktimë e një sulmi me armë më parë.

Vitin e kaluar, ai u qëllua nga një burrë me sëmundje mendore, i cili hyri në zyrën e tij të fushatës. Por, nuk pati të lënduar në atë ngjarje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore