Shqipëria

Publikohen emrat e pesë ekspertëve që do të hetojnë zgjedhjet e 25 prillit


Komisioni Hetimor për zgjedhjet e 25 Prillit caktoi nё mbledhjen e sotme emrat e ekspertёve  që do të asistojnë këtë organ në procesin brenda mandatit të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Nё mbledhjen e drejtuar nga kryetari Enkelejd Alibeaj, u njoftua se tё tre palët, Partia Socialiste, Partia Demokratike dhe Lёvizja Socialiste pёr Integrim kanë zgjedhur ekspertë për këtë komision emra të njohur në përballjet mes këtyre forcave politike në betejat që janë zhvilluar në KQZ, KAS apo Kolegjin Zgjedhor.

Ekspertёt qё do tё asistojnё nga PD janё Marinela Ziu dhe Marash Logu, nga radhёt e PS u caktuan Erdian Salianji dhe Mariglen Legisi, ndёrsa ekspert i LSI do tё jetё Silva Caka.

Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla
Miratimi i rregullores

PS dhe PD ranë dakord më 29 tetor për miratimin e rregullores së Komisionit Hetimor për zgjedhjet e 25 prillit.

Në përfundim të mbledhjes u zgjodh me votat e demokratëve dhe socialistëve edhe sekretari i Komisionit. Ai do të jetë Klevis Xhoxhi.

Blerina Gjylameti, deputetja e PS-së, propozoi që mbledhjet e komisionit të mbahen gjithmonë në orën 17:00.

Kjo edhe për shkak të agjendës së ngjeshur të Kuvendit. Propozimi u miratua nga të dyja palët.

Mbledhja e komisionit hetimor për zgjedhjet e 25 prillit, të premten e 22 tetorit, u mbyll me largimin e socialistëve.

Largimi i tyre ka ardhur pas debateve midis dy palëve: mazhorancës dhe opozitës, lidhur me miratimin e rregullores.

Mbledhjet e mëparshme të Komisionit janë zhvilluar mes debateve lidhur me rregulloren.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma
Ngritja e komisionit

Nga radhët e PS-së e patën bërë të qartë që më 11 tetor, se për ngritjen e komisionit hetimor për pretendimin e “masakrës zgjedhore” nga ana e demokratëve, do ta kalonte në Kuvend.

Ishte kreu i Grupit Parlamentar të të majtëve, Taulant Balla, i cili qartësoi qëndrimin e socialistëve mbi çështjen.

Më 1 tetor, nënkryetarja e Partisë Demokratike, Grida Duma, pat njoftuar se demokratët do të kërkonin ngritjen e tre komisioneve hetimore.

Ai i zgjedhjeve, ishte i pari që u pranua dhe më pas ai për “Inceneratorët”.

Ndërsa ngritja e një komisioni për shqyrtimin e çështjes “Becchetti” nuk u pranua nga mazhoranca.

Komisioni i parë që do të nisë zyrtarisht punën është ai i “masakrës zgjedhore”, me një periudhë të caktuar prej tre muajsh.

Nëse demokratët nuk arrijnë të verifikojnë shkelje në proces, atëherë një ndër kauzat e tyre më të mëdha në opozitë do të bjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore