Lajme

Pse nuk ndoqi Albin Kurti shembullin e Justin Trudeau?


Foto nga Albanian Post

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zgjodhi të udhëtojë për në Japoni, që të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të ish kryeministrit japonez, Shinzo Abe, në kohën kur në Kosovë vazhdon greva e paprecedentë në arsim dhe një pjesë të administratës publike.

Me vete mori edhe ministrin e Financave, Hekuran Murati. Edhe ky me rol kyç në zgjidhjen e ngërçit me sindikatat e bashkuara.

Pse ka shkuar në kohë krize? Kjo ishte pyetja me tone kritikuese e opozitës në Kosovë.

Në një situatë të njëjtë, në kohë krize në vendin e tij, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, anuloi pjesëmarrjen në ceremoninë shtetërore të varrimit të ish-kryeministrit japonez.

Atje kriza megjithatë u shkaktua nga një fatkeqësi natyrore që goditi provincat e Atlantikut në bregun lindor.

Trudeau theksoi se do të qëndrojë në Kanada për t’u fokusuar në mbështetjen e atyre që janë prekur nga kjo stuhi e fuqishme.

“Sigurisht, që nuk do të shkoj në Japoni”, iu tha ai gazetarëve.

Ndryshe nga ky shembull, Kurti zgjodhi të largohet drejt lindjes së largët duke e lënë vendin në grevë tash e një muaj.

Madje, para nisej, kreu i qeverisë kishte gërryer besimin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit dhe Shkencës kur deklaroi: “SBAShK-ut i është ndalur sahati në vitin 2017” dhe se “po i shërbejnë PAN-it në opozitë”.

Nga ana tjetër, grevistët u shprehen të zhgënjyer se si gjatë vikendit qeveria nuk inicioi as një takim me ta, kur dihet se janë mbi 300 mijë nxënës tash e tri javë pa vijuar mësimin.

Shkuarja e kryeministrit Kurti në Japoni u kritikua edhe nga kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Mbi 320 mijë fëmijë tash e një muaj janë pa mësim – rrinë në shtëpi – por kryeministri i Kosovës zgjedhë të largohet për në Japoni. Paaftësi dhe papërgjegjësi! Ky njeri nuk di të qeverisë!”, kishte shkruar ai në rrjetin e tij social Facebook.

Ndërsa Lutfi Haziri i LDK-së në një prononcim për Albanian Post konsideron që gjetja e kohës nga kreu i ekzekutivit për të marr pjesë në ceremoni mortore në Japoni në këtë kohë krize, “tregon krizë të thellë në këtë mentalitet qeverisës”.

Edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e ka quajtur indiferencë dhe mungesë totale të empatisë.

“Jo vetëm pa aftësi, por edhe me keq. Indiferencë. Mungesë totale e empatisë. 320.000 fëmijë kanë mbetur tash e një muaj pa shkollë. E Kryeministri? Në Japoni”.

Sidoqoftë, mësimdhënësit mbeten në grevë e nxënësit pa shkuar në shkollë sepse që nga 25 gushti, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) kishte marrë vendim që të hyj në grevë duke kërkuar rritje pagash prej 100 eurosh derisa të futet në fuqi ligji për paga, i cili parasheh rritjet e nevojshme.

Nga ana tjetër, qeveria do që grevistët ta ndalin grevën, por pa ua plotësuar kërkesën për rritje page, pa e proceduar ligjin për pagat me procedurë të shpejtë dhe duke mos pranuar që të bëjë një kompromis me ta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore