Lajme

Pse Macron nuk shkëputet plotësisht – të paktën me fjalë – me Putin-in?


Presidentit francez iu desh afro një vit për të thënë se “Rusia duhet të mposhtet”, duke folur me tre gazetarë francezë në avionin që e ktheu atë në Paris nga Mynihu.

Por një çast më vonë, gati gjysmë hapi mbrapa, Emmanuel Macron ndryshoi kurs.

“Nuk mendoj, si disa, se Rusia duhet të mposhtet totalisht, të sulmohet në territorin e saj. Këta vëzhgues duan së pari të asgjësojnë Rusinë. Ky nuk ka qenë asnjëherë qëndrimi i Francës dhe as do të jetë”.

Ai është padyshim në anën e Ukrainës, por ai kurrë nuk arrin të shkëputet plotësisht – të paktën me fjalë – me Rusinë.

Nëse ai shpreson për një fitore të Ukrainës dhe për rrjedhojë humbjen e Rusisë, ndihet i detyruar të shtojë se nuk duhet të bëhet fjalë për një humbje totale, për një asgjësim, siç do të donin “disa”.

Por kush janë këta?

Asnjë vend perëndimor, as polakët dhe vendet balltike që janë krahu i fortë në BE, por as Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të, nuk synojnë realisht të shkatërrojnë Rusinë.

Mund të hipotetizohet një arsye karakteri, si personale ashtu edhe politike: Macron është njeriu i en même temps, formula me të cilën pushtoi çuditërisht Elysée-n në vitin 2017 pas një fushate të rrufeshme elektorale.

Është një prirje shpirtërore që në aplikimet e saj më të mira çon në të qenit pragmatik dhe jo-ideologjik, në njohjen e asaj që është e mirë në të djathtë dhe “në të njëjtën kohë” në të majtë, në refuzimin e paragjykimeve dhe logjikës së rreshtimit.

En même temps mund të bëhet një lloj obsesioni që pengon të bëhet një zgjedhje e qartë.

Zbatuar për pushtimin rus të Ukrainës, en même temps do të thotë të dëshirosh fitoren e Ukrainës dhe në të njëjtën kohë të specifikosh se humbja e Rusisë nuk duhet të jetë totale.

Një pozicion disi i ngatërruar, i cili irriton ukrainasit.

“Macron po humb vetëm kohë duke folur me Putin-in”, thotë Zelensky, dhe i lejon aleatët e tjerë si britanikët apo amerikanët, të fitojnë betejën e komunikimit.

Ndoshta ka edhe arsye më të thella, të lidhura me një traditë shekullore franceze rusofile që ka shumë interpretues bashkëkohorë.

Në të djathtë, nga Presidenti Nicolas Sarkozy , i cili veproi si ndërmjetës midis Rusisë dhe Gjeorgjisë, udhëtoi deri në Tbilisi për të mbajtur një fjalim të madh pro-evropian, por më pas i shiti kryqëzuesit Mistral te Putin-i.

E deri te ish-kryeministri François Fillon, i cili ishte i preferuari i Moskës dhe në të majtë, nga ish-ministri i jashtëm socialist Hubert Védrine te ish-ministri i mbrojtjes Jean-Pierre Chevènement, themelues i një lëvizjeje sovraniste të krahut të majtë.

Chevènement, tani 83 vjeç, ishte interpretuesi i madh i anti-atlantizmit majtist, ideja se Franca duhet të pretendojë pavarësinë e saj diplomatike dhe politike nga SHBA-të dhe të kultivojë një marrëdhënie të privilegjuar me Rusinë.

Në vitin 2017, ai u dekorua nga Putin-i me Urdhrin e Miqësisë si “përfaqësuesi special” i Francës për Rusinë dhe ka mbetur një figurë kyçe në politikën e jashtme të Macron.

Në vitet e fundit, presidenti francez që është distancuar më shumë nga kjo traditë pro-ruse e politikës së jashtme franceze ka qenë François Hollande.

Në një intervistë të pak ditëve më parë ai ka treguar se “në Francë ka dy histori të rrëfyera keq që kanë ndikuar në marrëdhëniet me Putin-in në drejtim të gabuar”.

Por cilat janë këto dy histori?

“E para ka të bëjë me traditën goliste, kërkimin e një pozicioni autonom për Francën midis Lindjes dhe Perëndimit. Është diplomacia ajo që ka kuptim, por më pas duhet të mbahet mend se De Gaulle ishte i pari që doli në anën e Washington-it gjatë krizës së raketave kubane”.

“Historia e dytë e keqkuptuar, këtë herë në të majtë, ka të bëjë me përpjekjet e François Mitterrand për të mos u rreshtuar. Sigurisht, por nuk duhet të harrojmë kurrë se Mitterrand atëherë ra dakord gjatë krizës së Euroraketave që pacifistët janë në Perëndim dhe raketat SS20 në Lindje”.

Sipas tij, nëse këto zgjedhje vendimtare lihen jashtë, “përfundojmë të besojmë se është faji i SHBA-ve dhe NATO-s që Putin-i është agresiv”.

Hollande, i cili anuloi shitjen e kryqëzatave Mistral në Rusi, ishte ndoshta presidenti francez më i qëndrueshëm në politikën e jashtme në shekullin e XXI-të dhe më pak i magjepsur nga njeriu i fortë Putin.

Gjatë një vizite në Paris, mirëpritja e tij ndaj Putin-it ishte e akullt dhe të dy nuk arritën të shkëmbenin një vështrim gjatë konferencës së vështirë për shtyp në Pallatin Elysee.

Kurse Macron ka luajtur – dhe ndonjëherë duket se luan sërish – në një regjistër tjetër, atë të njohjes së madhështisë së Rusisë.

Pak për realpolitik-ën dhe pak për një prirje të caktuar personale drejt protagonizmit.

Ceremonia solemne – për Putin-in, por edhe për veten e tij – në kështjellën e Versajës në vitin 2017, apo dhjetëra telefonata të pasuksesshme të bëra me të pas pushtimit të një viti më parë.

Macron nuk dëshiron të lërë asnjë gur pa lëvizur për të arritur një negociatë dhe kjo është e lavdërueshme.

Por vëmendja e vazhdueshme për të mos ofenduar shumë ndjeshmërinë e Putin-it, deri më tani, nuk ka dhënë rezultate të mëdha.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore