Lajme

PSD-ja vendos fotografinë e Ivanoviçit para Qeverisë, “i pikëlluar Albin Kurti”


Aktiviteti i Partisë Social Demokrate para Qeverisë.

Partia Socialdemokrate, të mërkurën ka mbajtur një aksion simbolik para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku kanë vendosur fotografinë e ish-liderit serb, Oliver Ivanoviç dhe një kurorë lulesh ku është shkruar “i pikëlluar Albin Kurti”.

Lideri i kësaj partie, Dardan Molliqaj deklaroi se deklaratat e Kurtit në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviç-it janë “skandaloze dhe të papranueshme”.

Sipas tij, meqë kryeministri, “flet fjalë të mira për një kriminel, që ka marrë pjesë në dëbimin dhe vrasjen e shqiptarëve në veri, i njëjti duhet të bëjë homazhe çdo ditë para fotografisë së tij”.

Fjalimi i Kurtit për Ivanoviç-in në përvjetorin e pestë të vrasjes së tij ka nxitur reagime të mëdha edhe te partitë tjera opozitare.

“Ish-politikani serb i Kosovës, Oliver Ivanoviç, ka vrarë qindra shqiptarë, krimineli mbetet gjithmonë kriminel”, kishte thënë për Albanain Post, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani.

“Ai që thotë herë kriminel, herë vëlla, ia paftë hairin”, thekson ai për AP.

Berani këto komente i bëri kur është pyetur për reagimin e kryeministrit Albin Kurti, të hënën, në pesë vjetorin e vrasjes së Ivanoviç-it, meqë theksoi se ky i fundit “ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij”.

“Reagimi ka qenë i ngutur kur i thua një krimineli burrë i mirë, krimineli gjithherë mbetet kriminel”, shtoi Berani.

Njëjtë si Berani mendonte edhe Kurti dikur. Në vitin 2015, atëkohë si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, thoshte se Ivanoviç ishte angazhuar “për realizimin e planit hegjemon të Serbisë – kolonizimin e Kosovës dhe spastrimi i saj”.

Edhe Berani ishte i bindur që Ivanoviç ka vrarë dhe përndjekur qindra shqiptarë në vitin 1999 dhe 2000 në Mitrovicën Veriore dhe ndryshe nga Kurti ai s’e ka ndryshuar mendjen.

Të hënën, edhe Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, i ka reaguar kryeministrit Kurti.

Klinaku tha për AP se ka qenë i habitur me ndryshimin e mendimit nga Kurti për Ivanoviç-in.

“Ivanoviçi ka qenë kryesori për spastrim etnik ndaj shqiptarëve”, tha Klinaku për AP.

Ndryshe, Kurti, përmes një video-mesazhi ka lavdëruar angazhimin politik të Ivanoviç-it dhe ka kërkuar drejtësi për vrasjen e tij.

Kurti kujton Ivanoviç-in: Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen e tij

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore