Lajme

PSD-ja dorëzon kallëzim penal për pagesën shtesë për vetura


Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, gjatë konferencës për media

Partia Social Demokrate (PSD), ka kryer kallëzim penal në lidhje me tenderin për letërngjitësin e veturave, të cilën çdo shtetas i Kosovës duhet ta paguaj gjatë regjistrimit të veturës, nga 1 shtatori e tutje.

Sipas Kryetarit të kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo tiketë është e panevojshme dhe është vepër penale.

“Ne konsiderojmë se kjo tiketë e tillë është e padrejtë dhe e panevojshme. Është zhvatje ndaj të mirave materiale të qytetarëve të Kosovës. Po besojmë që këtu ka pasë konsumim të veprës penale”.

Ndërsa aktivisti i po kësaj partie, Dren Kukaj, ka thënë se janë dy çështje që e mbështesin akuzat e tyre.

E para është “nënshkrimi i një vendimi i cili është përpiluar në kundërshtim me Ligjin e Përgjithshëm të Procedurës Administrative në kuptimin që nuk ka këshillë juridike dhe të nesërmen është nënshkruar marrëveshja”

Dhe çështja e dytë është vetë marrëveshja “e cila duket se është komplet e panevojshme, sepse qytetarët detyrohen të paguajnë për një tiketë ngjitëse e cila është e diskutueshme se a duhet të vendoset apo jo, sepse aktualisht organet e vendit e kanë mundësinë për të verifikuar se a janë mjetet motorike të regjistruara apo jo”.

Çdo qytetar i Kosovës, i cili do të regjistroj veturën, nga një shtatori e tutje, duhet të paguaj një kosto shtesë financiare prej 5 eurosh.

Kjo si rezultat i një vendimi të cilin e ka ndërmarrë Ministria e Infrastrukturës.

Kjo ministri, ka bërë marrëveshje me kompaninë “Auto Control Kosova”, si të vetmen kompani, së cilës do ti bëhet kjo pagesë.

Për këtë përfaqësues të PSD-së, kishin zhvilluar edhe një aksion në oborrin e Ministrisë së Drejtësisë.

Ata kishin ngjitur në veturat zyrtare tiketa me mbishkrimin ‘zhvatës’ dhe të njejtën fjalë e kishin shkruar veturat zyrtare të kësaj ministrie.

Reagimi i tyre kishte ardhur për arsyen se mbi 2 milionë euro në vit do t’iu jepen një kompanie private. Sipas tyre çmimi është pesë fish më i shtrenjtë, dhe 90 përqind e tij është fitim për kompaninë, e cila ka gjithsej 3 punëtorë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore