Zgjedhjet në Shqipëri

PS Dibër reagon për rastin e Maqellarës: Votat po bliheshin nga LSI


Diber

Shtabi Elektoral i Partisë Socialiste në Dibër ka reaguar për rastin e Maqellarës, ku Partia Demokratike pretendon se eksponentë socialitë, kanë tentuar të blejnë votat e qytetarëve.

“Pas verifikimeve të hollësishme ne konkluduam se personi në fjalë, punonjës në Bashkinë Bulqizë, nuk është pjesë e strukturave të PS. Ai është punësuar në vitin 2015 nga deputeti i LSI Përparim Spahiu, me të cilin ka edhe një lidhje krushqie”, akuzon PS-ja Dibër.

Gjithashtu, socialistët mbështesin pa rezerva hetimet dhe zbardhjen e ngjarjes.

“Ne nuk e dimë dhe as na takon të hamendësojmë nëse ky individ ishte vërtetë një blerës votash për LSI. Këtë le ta thotë drejtësia. Ajo që ne dimë dhe e themi me plot gojën është se ky individ s’ka lidhje me PS-në”.

Reagimi i shtabit elektoral nga PS Dibër

Rasti i Maqellarës, bëri bujë në media, pasi eksponentë demokratë bllokuan një makinë të dyshuar ku po kryhej shit-blerje votash.

Në vëmendje mediatike, ka qenë edhe një video e kreut të listës së demokratëve në Dibër, Xhelal Mziu. Ky i fundit ka thënë publikisht në një tubim të demokratëve ditën e djeshme, se grupet e tyre janë gati dhe kush tenton të prekë votën, do ta pësojë si Pjerin Xhuvani në Elbasan.

“Kemi ngritur grupet e gatshme. Nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë si ai në Elbasan”, deklaronte Mziu.

Policia ndërkaq e ka proceduar penalisht atë. Vepra për të cilën akuzohet, është : “Thirrje për armatosje ose marrje të padrejtë të komandës”.

Janë arrestuar ndërkaq edhe dy persona për rastin e pretenduar për shit-blerje votash. Subjekti politik për të cilin ata vepronin, nuk është bërë ende i ditur.

Reagimi i kryeministrit Edi Rama mbi ngjarjet

Kryeministri Edi Rama ka reaguar mbi thirrjet e kreut të Partisë Demokratike në qarkun Dibër, Xhelal Mziu, se “kush prek votën e dibranëve, do të përfundojë si ai në Elbasan”. Reagim ka pasur edhe mbi ndjesën që ka kërkuar ky i fundit, duke e cilësuar si të pavlefshme.

“Ndjesa e këtij trogloditi nuk vlen asnjë qindarkë! Kush vjen në pushtet duke vrarë, dhunuar e kërcënuar edhe pushtetin e ushtron duke vrarë, dhunuar e kërcënuar!”.

“Ky është një subjekt i vetë deklaruar i drejtësisë penale, ndërsa kjo soj politike duhet të jetë subjekt i Drejtësisë Popullore në 25 prill!”, vijon Rama reagimin në Facebook.

Ndër të tjera, kryeministri shprehet se është populli, ai që do t’u tregojë “gangove me kravata dhe atyre që janë të armatosur”, se shqiptarët nuk do të kthehen më mbrapsht.

“Në 25 prill votohet për fëmijët që s’kanë të drejtë vote, por që asnjë borxh nuk u kanë prindërve të tyre kthimin e reve të zeza të së shkuarës mbi kokat e tyre!”, vijon kryeministri.

Që nga Tropoja deri në Konispol, Rama i bën thirrje qytetarëve të tregojnë forcën e karakterit nëpërmjet votës.

Kreu i listës dibrane së PS-së reagon mbi thirrjet e Mziut

Kryesuesi i listës së Partisë Socialiste në Dibër, Lavdrim Krashi, ka reaguar për Albanian Post mbi deklaratën e kryesuesit të listës së demokratëve në Dibër, Xhelal Mziu.

Ky i fundit, në një takim në Maqellarë, ka thënë se “nga sot e në vazhdim, çdo person i dyshimtë që lëviz në lagjet tuaja, mjafton një telefonatë dhe do ta pësojë si ai në Elbasan”.

Krashi ka thënë se sapo është vënë në dijeni për videon. “Është një koment që s’kam koment. Është një thirrje që nxit vëllavrasje”, theksoi ai.

Sipas tij, situata në Dibër është tensionuar pas kësaj deklarate.

“Aty ku shkoj unë në Dibër është gjendje normale. Por, një tension ndihet sidomos pas deklaratave të tilla krejtësisht të papërgjegjshme”.

Për votuesit, Krashi apeloi qetësi, duke iu referuar edhe reagimeve ndërkombëtare ditën e djeshme, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në Elbasan më 21 prill, ku mbeti i vrarë një person dhe u plagosën katër të tjerë.

“Mbështes fuqimisht thirrjen e ndërkombëtarëve. E kam bërë dhe do ta bëj deri në 12 të natës, kur të fillojë heshtja zgjedhore. Apeloj votuesit për qetësi. Të shkojnë të votojnë të qetë. Ata janë vëllezërit tanë, si PD, si LSI”, ka përmbyllur ai.

Ngjarja e Elbasanit solli tension në vend

Më 21 prill, Elbasani dhe gjithë Shqipëria u tronditën nga një vrasje e ndodhur në qytetin qendror shqiptar. Arbër Paplekaj, pjesë e një grupi të gatshëm të PD-së, vrau Pjerin Xhuvanin, ish-drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qark dhe plagosi katër të tjerë.

Ndër ta, edhe një efektive të forcave speciale Shqiponja.

Akuza janë ngritur ndaj dhjetë personave për ngjarjen e Elbasanit. Drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka sqaruar se “asnjë material që sugjestionon shit-blerjen e votës, nuk është gjetur në mjetet e sekuestruara”.

Reagimet nga politika dhe ndërkombëtarët kanë qenë të shumta. Këta të fundit, veçanërisht ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim, ka kërkuar nga palët politike “të mos përfshihen në akte dhe thirrje dhune, por të apelojnë për qetësi”.

Pamjet e Dibrës nga ana tjetër, nuk janë aspak reflektuese të kësaj qetësie të kërkuar.

Nga faktori politik, një angazhim i pazakontë me çështjen ka qenë ai i presidentit Ilir Meta. Në çastin kur krerët e lartë të PD-PS, Edi Rama dhe Lulzim Basha kërkonin qetësi, presidenti bënte thirrje “për të mprehur sfurqet, kosoret dhe sëpatat”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore