Lajme

Protestat në Veri vazhdojnë me numër të vogël të protestuesve


Serbët në Leposaviq.

Për të 12-tën ditë serbët lokalë po vazhdojnë të protestojnë në Zveçan, ku është raportuar për një numër më të vogël të protestuesve.

Të cilët janë grumbulluar sikurse edhe ditëve të tjera afër ndërtesës komunale.

Kurse automjetet e njësisë speciale të Policisë së Kosovës janë parkuar afër ndërtesës së komunës.

Për ditët e fundit të tensionuar në Veri, KFOR-i ka thirrur konferencë për media të premten e 9 qershorit.

Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate dërguar mediave.

“Për zhvillimet e ditëve të fundit, shtabi i KFOR-it po organizon konferencë për media në objektin e Radio Kosovës- me datë 09.06.2023, ora 11.30”.

Në këtë konferencë pritet që zëdhënësi i shtabit të KFOR-it, kolonel Andrea Gallieni, të prezantojë dhe ndajë informacione rreth situatës së fundit.

Situata në komunat veriore në dy ditët e fundit ka qenë më e qetë dhe me numër më të vogël të protestuesve.

Por, në ditët e para ka pasur sulme ndaj zyrtarëve policore, trupave të KFOR-it e po ashtu 21 sulme kishin ndodhur ndaj mediave.

Më 26 maj, tensionet në Veri u rritën, atëherë kur krerët e rinj të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, kishin hyrë nën përcjelljen e policisë në ndërtesat komunale.

Ndërkaq, më 29 maj, protestuesit u përleshën me trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Nga kjo përleshje 41 trupa të KFOR-it, u lënduan edhe dhjetëra protestues.

Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e Britanisë së Madhe vazhdimisht kanë kërkuar që të ndalet menjëherë dhuna ndaj pjesëtarëve të KFOR-it.

Kryetarët e rinj shqiptarë u zgjodhën në zgjedhjet e parakohshme të 23 prillit.

Këto zgjedhje u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve të mëparshëm komunale nëntorin e 2022.

Kryetarët e mëparshëm vinin nga Lista Serbe partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila nuk mori pjesë në zgjedhje dhe procesi u bojkotua nga serbët lokalë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore