Lajme

Protestat në Beirut, SHBA-të njoftojnë financime të reja për ushtrinë libaneze


SHBA e quan dhunën në Bejrut “të papranueshme”, njofton financime të reja për ushtrinë libaneze

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë reaguar pas sulmeve të dhunshme në protestat në Beirut të Libanit, ku mbështetësit e grupit terrorist Hezbollah, kërkojnë shkarkimin e gjyqtarit Tarek Bitar, i cili po heton mbi shpërthimin shkatërrues në port një vit më parë.

Në një konferenc shtypi sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, e quajti dhunën”të papranueshme” dhe njoftoi se, “një financim shtesë prej 67 milionë dollarësh do të shkoj për ushtrinë libaneze.

“Konfirmojmë mbështetjen tonë të palëkundur për Ushtrinë Libaneze dhe Forcat e Sigurisë së Brendshme, duke pranuar rolin jetik që ata luajnë në sigurinë dhe stabilitetin këtu”, tha Nuland.

Financimi shtesë sjell shumën totale të mbështetjes financiare amerikane në 187 milionë dollarë.

Koordinatorja Speciale e Kombeve të Bashkuara për Libanin, Joana Wronecka, u ka bërë gjithashtu thirrje palëve për t’u “përmbajtur maksimalisht”.

“Jam e shqetësuar për incidentet e dhunës që po ndodhin sot në Bejrut sot. Është thelbësore që në këtë moment të tregohet përmbajtje maksimale, të sigurohet rikthimi i qetësisë dhe mbrotjtja e qytetarëve”, shkroi Wronecka në Twitter.

Albanian Post ka siguruar pamje ekskluzive të përshkallëzimit të dhunës gjatë protestave të mbështetësve të Hezbollah në rrugët e kryeqytetit të Libanit.

Në video tregohen kudo njerëz të armatosur rëndë duke marshuar dhe duke qëlluar drejt njerëzve.

Në orën 5 të pasdites me kohën lokale, grupi Hezbollah doli me një deklaratë, duke u shprehur se mbështetësit e tyre u larguan nga ndërtesat e Partisë së Forcave të Krishtera Libaneze të krahut të djathtë(FKL).

Hezbollahu dhe Lëvizja e tyre aleate Amal akuzuan partinë, pa ofruar dëshmi, duke i bërë thirrje ushtrisë libaneze që të arrestojë sulmuesit që qëlluan kundër protestuesve të tyre.

Hezbollah dhe Amal e quajtën dhunën një “operacion të qëllimshëm” të partisë së Forcave Libaneze, të kryesuar nga Samir Geagea.

Amal dhe Hezbollah janë dy parti që i përkasin sektit Shiit dhe janë aleate me njëra-tjetrën.

Nga ana e tij, Geagea dënoi dhunën në median sociale Twitter, duke fajësuar për të atë disponueshmërinë e gjerë të armëve, pa adresuar akuzat.

Çfarë ka ndodhur deri më tani

Kryqi i Kuq Libanez konfirmoi se shtatë persona kanë vdekur dhe më shumë se 30 janë plagosur deri më tani nga përshkallëzimi i dhunës në protesta pranë Pallatit të Drejtësisë.

“Të shtënat me armë të rënda vazhdojnë ende”, raportoi Kryqi i Kyq në Liban rreth orës 2 të pasdites me kohën lokale.

Nuk është ende e qartë se kush dhe pse janë ndezur të shtënat.

Pak më herët, ministri i Brendshëm i Libanit ka konfirmuar se janë lëshuar granatathedhës B7-RPG.

Kryeministri libanez, Najib Mikati, u transferua në selinë e Ministrisë së Mbrojtjes për të monitoruar situatën, ndërsa përleshjet u përshkallëzuan edhe më në lagjen Beirut të Tahouneh.

Burime të drejtpërdrejta të mediave lokale treguan njerëz të maskuar, me mitralozë në zonë me automjete të blinduara ushtarake që u vendosën në rrugë.

Një protestues i maskuar gjuajti me armë nga pragu i njё rruge, ndërsa tymi i zi u shfaq në një prej ndërtesave aty pranë.

Agjencia mediatike “Associated Press” raportoi se, forcat e krahut të djathtë të Libanit të Krishterë mobilizuan mbështetësit të mërkurën mbrëma, pasi Hezbollah dhe aleatët e tij bënë thirrje për protestën të vendosur në një zonë të krishterë.

Videot që qarkullojnë në mediat sociale treguan mbështetës të FKL – një nga partitë libaneze kundërshtare të Hezbollah – që marshonin në rrugë, duke mbajtur kryqe të mëdha.

Associated Press po ashtu tregoi një burrë duke hapur zjarr me pistoletë dhe persona të shumtë të armatosur që qëllonin në drejtim të protestuesve nga ballkoni i një ndërtese.

Të paktën dy burra u plagosën dhe u gjakosën. Pas shkëmbimeve të armëve mes palëve myslimane dhe të krishtera të kryeqytetit, ushtria dërgoi patrulla në zonë për të kërkuar personat e armatosur.

Ushtria libaneze ka thënë se do të qëllojë mbi çdo person të armatosur në rrugë dhe u ka këruar civilëve të largohen nga rrugët pranë vendit të përplasjeve.

Çështja “Bitar”

Grupi Hezbollah ka qenë një kundërshtar i fortë i Tariq Bitar, gjykatësit popullor, i cili po udhëheq hetimin e shpërthimit në Beirut dhe ka kërkuar ndjekjen penale të zyrtarëve të nivelit të lartë.

Sipas ligjit libanez, gjykatësi Tarek Bitar detyrohet që të ndalojë hetimin.

Ai kishte paraqitur kërkesa të reja në Ministrinë e Brendshme dhe Komunat për të thirrur shefin e Sigurisë së Përgjithshme Gjeneral, Abbas Ibrahim-in, dhe shefin e Sigurisë së Shtetit, Gjeneral Major Tony Saliba.

Gjyqësori do të përcaktonte nëse Bitar do të vazhdonte të udhëhiqte hetimin.

Machnouk, një parlamentar në detyrë, si dhe ish-ministri i Punëve Publike, Youssef Finianos, kërkuan të hiqte Bitar-in nga hetimi i shpërthimit.

Ata e akuzuan gjyqtarin për paragjykime dhe sjellje të pahijshme.

Këtë javë, gjykatësi lëshoi ​​një urdhërarresti kundër ligjvënësit Ali Hassan Khalil, një zyrtar i lartë i Amal dhe ish-ministër i Financave.

Që nga emërimi i tij në shkurt, Bitar, i cili gjithashtu drejton Gjykatën Penale të Beirutit, ka kërkuar zyrtarë të lartë politikë dhe të sigurisë për t’u marrë në pyetje në hetimin e shpërthimit në Beirut.

Ai është hetuesi i dytë gjyqësor që drejton hetimin.

Gjyqtari i parë, i ngarkuar me shqyrtimin e hetimit, u shkarkua pasi dy ish-ministra të akuzuar në hetim paraqitën me sukses një mocion për largimin e tij.

Disa peticione ligjore nga zyrtarët që ndiqen penalisht për të shkarkuar Bitarin kanë qenë të pasuksesshme.

Shpërthimi në port

Më 4 gusht, në Portin e Beirutit u ndez një zjarr në një depo me lëndë plasëse. Fill pas saj ndodhi një shpërthim shumë i fuqishëm, që tronditi tërë qytetin.

Fuqia e shpërthimeve ishte aq sa ajo e një tërmeti të shkallës 3,5 Rihter. Shumë ndërtesa, që ndodheshin kilometra larg depos, u rrënuan.

Rreth 6 mijë persona u plagosën dhe 300 mijë mbetën të pastrehë.

Dhjetëra familje të viktimave më 25 nëntor, organizuan një protestë pranë Parlamentit, për shkak të vonesës së hetimeve mbi çështjen e shpërthimit. 

Protestuesit mbanin fotografi të të afërmve të tyre që humbën jetën dhe parulla që dënonin vonesën e hetimeve.

Familjet, në atë kohë, pohuan se besojnë në gjyqësorin libanez për t’u dhënë drejtësi atyre me një vendim të drejtë dhe transparent.

Megjithatë, ata paralajmëruan se do të kërkojnë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare nëse nuk trajtohen në mënyrën e duhur.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore