Lajme

Propozimi i Krasniqit: Zgjedhjet të mbahen më 9 qershor


Memli Krasniqi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka propozuar 9 qershorin si datën kur mund të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare.

Këtë propozim, Krasniqi e ka bërë në një intervistë për “T7”, pasi që ka komentuar gatishmërinë e kryeministrit Albin Kurti, për t’ua dhënë opozitës votat e partisë së tij për ta shpërndarë kuvendin, rrjedhimisht të shkohet në zgjedhje të reja.

“Unë mendoj që ne duhet të merreshim vesh që të shkojmë në zgjedhje më 9 qershor. Koincidon me zgjedhjet parlamentare evropiane, zgjedhjet për Parlamentin Evropian mbahen nga 6 deri më 9 qershor. 9 qershori është e diel”, deklaroi Krasniqi.

“Besoj që do të ishte një datë e përshtatshëm”, shtoi.

Ky propozim i Krasniqit, ka ardhur në të njëjtën ditë kur partia që ai udhëheqë ka kandiduar Bedri Hamzën, aktualisht kryetar i Mitrovicës, kandidat për Kryeministër të Kosovës.

Zgjedhjet e ardhshme parlamentare në kushte normale do të duhet të mbaheshin shkurt të vitit 2025, mirëpo partia në pushtet, pra Lëvizja Vetëvendosje, dhe opozita kanë shprehur gatishmërinë që të njëjtat të mbahen më herët.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt të vitit 2021, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

Në rezultatet përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), njoftoi se LVV-ja kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%), PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%), LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Gatishmëri për zgjedhje të parakohshme edhe nga kryeministri edhe nga opozita

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore