Lajme

Gatishmëri për zgjedhje të parakohshme edhe nga kryeministri edhe nga opozita


Foto: Albanian Post.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 tregon se duhen 2/3 e votave dhe s’ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje; opozita mund të bëhet bashkë me neve – kjo është ofertë e imja. Ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë zgjedhje, pa problem”.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time që nëse opozita dëshiron zgjedhje të parakohshme mund ta bëjmë me 2\3 e kuvendit shpërndarjen e kuvendit dhe të shkojmë në zgjedhje”.

Këto ishin dy deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, gjatë dy ditëve të fundit për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, duke treguar gatishmërinë e tij për zgjedhje të reja, ndonëse të njëjtat po kërkohen të mbahen disa muaj para përfundimit të mandatit të tij.

Në anën tjetër përgjigje pozitive pranoi edhe nga opozita.

Pas këtyre deklaratave ishin fillimisht dy partitë opozitare Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat pranuan ofertën e kryeministrit.

Këtë ofertë të kryeministrit pa vënë në pikëpyetje as një minutë e ka pranuar fillimisht kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj.

Përmes një shkrimi në rrjetin social, ‘Facebook’, Krasniqi ka potencuar se partia të cilën ai drejton nga korriku i vitit të kaluar ka bërë thirrje për shpërndarje të Kuvendit.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”.

Në anën tjetër kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një intervistë për Televizonin T7, tha se LDK është e gatshme për zgjedhje që nga sonte, por që nuk e voton asnjë mocion të mosbesimit ndaj Qeverisë aktuale.

Kjo pasi në vlerësimin e tij Kurti, duhet të jap dorëheqje.

“Nëse Kurti është dorëzuar, e duket se është dorëzuar, le të jap dorëheqje. Por, le të ja shpjegoj popullit pse po i lë. LDK nuk bën mocion të shpërbërjes së Kuvendit, por është e gatshme për zgjedhje prej sot. Është e gatshme edhe për qeverisje pas zgjedhjeve”, potencoi Abdixhiku.

Ndërsa, ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta ftojë në takim opozitën për të qartësuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se opozitës do t’ua bëjë votat nëse dëshirojnë zgjedhje.

“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin”.

“Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensuesi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të Kryeministrit”, ka shkruar ai të premten.

Një përgjigje ndaj kryeministrit Kurti e ka dhënë edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Haziri, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se LDK-ja s’do të bëjë mocion, por në rast se vendi mbetet pa kryeministër janë të gatshëm për zgjedhje.

“Siç ka deklaruar Kryetari i LDK-se mbrëmë, kryeministri Kurti është dorëzuar e po kërkon viktimizimin. LDK nuk bën mocion, por është e gatshme për zgjedhje kur vendi mbetet pa Kryeminister, dhe natyrisht për qeverisje”.

Zgjedhjet e 14 shkurtit 2021

Albin Kurti, u zgjodh kryeministër i Kosovës në mars të 2021-së për herë të dytë sipas rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai shërbeu në të njejtën pozitë nga shkurti deri në qershor të 2020-së.

Rezultate këto që vinin nga zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt të vitit të ngjashëm.

Nga këto zgjedhje Lëvizja Vetëvendosje (LVV), siguroi 58 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) siguroi 19 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) siguroi 15 ulëse dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), 8 ulëse.

KQZ-ja njoftoi se LVV-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit kishte fituar 438 mijë e 335 vota (50.28%), PDK-ja 148 mijë e 296 (16.90%), LDK-ja 110 mijë e 978 (12.64%) dhe AAK-ja 62 mijë e 111 vota (7.07%).

Foto nga Atdhe Mulla.

Prioritetet e kryeministrit Kurti, të cilat u paraqiten me fitoren e zgjedhjeve të 14 shkurtit ishin lufta kundër korrupsionit dhe punësimi, vaksinimi i 60 për qind të popullatës kundër COVID-19 brenda një viti, rritja e prodhimit dhe eksportit si dhe fuqizimi i ndërmarrjeve publike.

Ai edhe me fitoren e zgjedhjeve thoshte se dialogun me Serbinë s’do ta kenë pjesë të prioriteteve, duke paralajmëruar vendosje të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e 14 shkurtit, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kishte prezantuar programin e ardhshëm qeverisës të partisë së tij, duke thënë se dëshirojnë “të nxjerrin Kosovën nga kriza e shumëfishtë dhe ta vendosin në binarët e progresit”.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit, nga mbi 1.7 milion qytetarë me të drejtë vote kanë votuar 48.78 për qind dhe vota të vlefshme, sipas KQZ-së, kanë qenë 877 mijë e 503.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore