Kosova

Haradinaj kërkon që presidentja ta ftojë opozitën për shpërndarjen e Kuvendit


Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ish kryeministri i Kosovës dhe deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ta ftojë në takim opozitën për të qartësuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh se opozitës do t’ua bëjë votat nëse dëshirojnë zgjedhje.

Kërkesën Haradinaj, e ka bërë përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’,

“Aleanca ka kohë që ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj qeverisë, mirëpo Kryeministri jo vetëm që e ka kundërshtuar por është kujdesur të na e kujtojë se kur është afati i zgjedhjeve të rregullta. Tash paska dalë me kërkesë që të bashkohet me opozitën për ta shpërndarë Kuvendin”.

“Çka ka ndryshuar në ndërkohë!? A është Presidentja e vendit në dijeni për këtë ndryshim kursi të Kryeministrit. Shpërndarja e Kuvendit duhet të jetë rezultat i një konsensuesi politik. Presidentja duhet të deklarohet për këtë çështje dhe eventualisht të thërrasë në takim partitë politike, për ta diskutuar këtë ndryshim kursi të Kryeministrit”, ka shkruar ai.

Teksa, ka vlerësuar se Kosova aktualisht është duke u përballur me situatë të ndjeshme.

“Politike edhe të sigurisë, dhe kjo temë kërkon qartësi. Përpos nëse edhe ky ndryshim kursi i Albin Kurtit, është veç edhe një mashtrim i radhës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu të enjten gatishmëri për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse dëshirojnë partitë opozitare në vend. E nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, atëherë mund të votojë për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga viti 2020 tregon se duhen 2/3 e votave dhe s’ka mundësi tjetër që automatikisht të shkohet në zgjedhje; opozita mund të bëhet bashkë me neve – kjo është ofertë e imja. Ne i ndihmojmë opozitës nësë dëshirojnë zgjedhje, pa problem”.

Ndryshe, partitë politike kanë filluar të mobilizohen për shkak të mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme pak muaj para përfundimit të mandatit të Qeverisë së Kosovës nën drejtimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Ndërkohë që për shkak të zhvillimeve aktuale, mundësinë e zgjedhjeve përgjatë këtij viti nuk e kanë përjashtuar as akterë të partisë në pushtet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore