Lajme

Propozimi franko-gjerman “është ngurtësuar” – atë e kanë Kurti, Osmani e Konjufca në Kosovë dhe Vuçiç në Serbi


Foto nga Albanian Post

Asgjë më nuk është e lëngshme sa i përket propozimit të ndërkombëtarëve për marrëveshjen për normalizim raportesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Referuar gjuhës shkencore të kryeministrit Albin Kurti, me të cilën vendosi ta përshkruajë gjendjen e dokumentit franko-gjerman kur u pyet nga gazetarët, gjithçka tashmë është solidifikuar dhe kështu në gjendje agregate të ngurtë i është dorëzuar.

Të tillë e ka në duar, por jo vetëm ai.

Mbështetur në burime ndërkombëtare, Albanian Post mund të konfirmojë se propozimi final i është shpalosur edhe presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Por, çfarë përmban propozimi e di edhe Glauk Konjufca, kryetar i Parlamentit të Kosovës.

Për shkak të fuqisë së institucionit që ai drejton, kryetari i Kuvendit është bërë zyrtari i tretë që ka sytë mbi dokumentin.

Glauk Konjufca, kryetar i Parlamentit te Kosoves

Në anën tjetër, i njëjti i është prezantuar edhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiç në takimin e fundit me ambasadorët e QUINT-it (SHBA-në, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe, Italinë).

Vuçiç nuk e ka fshehur se në takim i është ofruar një dokument, por nuk ka treguar çfarë përmban ai.

Ishte mediumi i afërt me të Novosti, që një ditë më pas ka publikuar një shkrim ku thuhej se sipas burimeve të tyre dokumenti që ka pranuar Vuçiç nga QUINT-i është “i përafërt me atë që ka publikuar Albanian Post ditë më parë”.

Në Kosovë asnjë nga treshja që ka pranuar propozimin “e ngrirë” nuk ka folur për media.

Sa për mos deklarimin rreth përmbajtjes, Albanian Post kupton se është arritur një zotim për konfidencialitet, i kërkuar nga të dyja palët.

Vuçiç-it i kishin penguar shumë publikimet në Albanian Post rreth propozimit franko-gjerman dhe skenarin për para-marrëveshjen.

Publikimin e kishte quajtur tradhti ndaj tij e ndaj procesit.

“E dija se do ta publikonin shqiptarët”, tha Vuçiç, derisa shpjegonte se kur për herë të parë ia kishin sjellur draft-propozimin Miroslav Lajçak, bashkë me dy këshilltarët e Emmanuel Macron e Olaf Scholz, ai s’kishte pranuar as ta shikonte.

Të dyja palëve që u është dorëzuar dokumenti u është thënë gjithashtu – ajo që AP publikoi me 20 tetor – se “tema e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbyllet para një vjetorit të fillimit të luftës në Ukrainë”. Kjo nënkupton fundin e shkurtit, por është përmendur gjithashtu fundi i dhjetorit të këtij viti si kohë optimale për dakordësimin fillestar.

Kur do ta dëgjojmë Kurtin, Osmanin e Konjufcën duke folur për atë që kanë pranuar?

Tashmë e kanë bërë.

Metoda është e sofistikuar.

Ata thonë se nuk do të lejojnë asnjëherë të ndodhin gjëra si cenimi i integritetet territorial të Kosovës, por në fakt kjo as që kërkohet me propozimin e ndërkombëtarëve.

Kryeministri dhe Presidentja flasin edhe për atë se si nuk do të tolerojnë në kurrfarë forme të preket sovraniteti dhe pavarësia e shtetit, pikërisht pasi e kanë kuptuar që diçka të tillë nuk kërkon marrëveshje.

Të njëjtën strategji e ka aplikuar edhe Vuçiç në Serbi.

Ai u ka folur serbëve se si nuk ka asnjë gjasë që të pranojë pavarësinë e Kosovës, paçka se nuk kërkohet njohja e kësaj pavarësie nga Serbia – jo në këtë fazë.

 Cili është skenari drejt pajtimit fillestar?

Siç e ka transmetuar Albanian Post, në skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi, pajtimi i parë duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt.

Në pikat që i janë paraqitur Albanian Post-it, arsyeja e urgjencës qëndron “në një vjetorin e luftës në Ukrainë” dhe shtetet aleate planifikojnë që të demonstrojnë unitet, gatishmëri e fuqi në përkrahje të Ukrainës”.

Komuniteti ndërkombëtar më nuk kërkon “një zgjidhje të shpejt”, por “një proces pajtimi”, i cili dallon nga dinamikat e dialogut aktual dhe kërkon arritje pajtimi në disa faza.

Projekti është hartuar me kujdes dhe është gjetur një rrugë e re “ku secila palë ruan mirazhin e pozicionit të vet parimor”.

Çfarë botoi Albanian Post me 18 shtator që hapi debatin në Kosovë dhe detyroi institucionet të flasin për herë të parë për propozimin konkret?

Sipas draft-propozimit franko-gjerman që pati publikuar Albanian Post, në vitin 2023 duhet të nënshkruhet një marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Dokumenti gjithashtu sqaronte se me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

Pjese nga dokumenti i publikuar nga AP

Letra prej katër faqesh, e cili e shpjegonte logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Dokumenti përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Aty parashikohet edhe anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ky rrugëtim kalon nëpër katër faza.

Sipas propozimit, faza e parë është “Kosova bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”. Faza e dytë “Anëtarësimi në Interpol dhe UNESCO”. “Faza e tretë, Fillimi i bisedimeve për pranim në NATO, aplikimi për anëtarësim në BE” dhe “Faza e katërt: Anëtarësimi në OKB”.

Krejt në fund, shpjegohet se çfarë përfitojnë të dy vendet nëse e nënshkruajnë marrëveshjen dhe cilat do të ishin pasojat nëse nuk arrihet akordi.

Në kohën kur AP e publikoi dokumentin përmbajtja tregonte një draft-propozim që ofronte një makro-perspektivë dhe jo një dokument të përfunduar e gati për nënshkrim.

Diçka më shumë se një muaj më vonë nga publikimi, drafti ka marrë formën e tij finale dhe do të kuptohet ditëve në vazhdim nëse Kurti do ta zgjerojë fjalorin e zbërthej pikat e këtij dokumenti për publikun e gjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore