Lajme

Media e afërt me Vuçiç’in: Ajo që iu prezantua presidentit është e ngjashme me çfarë ishte publikuar në Kosovë


Ilustrim: Albin Kurti, Jens Plotner, Gabriel Escobar, Emmanuel Bonne, Aleksandër Vuçiç, Miroslav Lajçak

Mediumi serb, Novosti, i cili është i afërt me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, duke u thirrur në burime diplomatike, ka shkruar se gjatë takimit që Vuçiç ka pasur me ambasadorët e shteteve të QUINT-it, të premten e 21 tetorit, ka pranuar nga këta të fundit një dokument shumë të ngjashme me skenarin e para-marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë të cilën Albanian Post, e ka publikuar më 20 tetor.

Sipas këtij skenari, të cilën Albanian Post ka siguruara ekskluzivisht nga burime ndërkombëtare, pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të arrihet më së largu deri më 24 shkurt, pra në njëvjetorin e luftës në Ukrainë.

Se Vuçiç ka pranuar një dokument nga shtetet e QUINT-it e kishte konfirmuar edhe vetë ai, megjithatë i njëjti ishte arsyetuar se nuk mund të flasë për detajet e këtij dokumenti me pretekstin se për këtë ka një dakordësi me shtetet e QUINT-it.

“Marrëveshja është që të mos publikohet, por sigurisht ka të bëjë me Kosovën”, kishte thënë shkurt ai.

Ndryshe në një komunikatë të lëshuar nga presidenca serbe, menjëherë pas përfundimit të takimit Vuçiç-QUINT, theksohej fakti se Vuçiç nga ambasadorët e shteteve të QUINT-it në Beograd ka pranuar një dokument ë përbashkët në të cilin shprehet shqetësimi i tyre për prishjen e mundshme të stabilitetit në rajon, përpara skadimit të afatit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.

Mediat në serbi, para fillimit të takimit Vuçiç-QUINT, të premten, duke u thirrur në informata jo-zyrtare, kishin raportuar se ambasadorët e QUINT-it gjatë takimit do të prezantojnë presidentit serb, planin për zgjidhjen e përshpejtuar të çështjes së Kosovës, apo siç po quhet ndryshe skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Një gjë të tillë në mënyrë të tërthortë e pati paralajmëruar edhe vetë Vuçiç, në një paraqitje televizive, dy ditë më parë.

“Po pres të shohë se çfarë do të më dorëzojnë, sepse më thanë se kanë diçka për mua”, kishte thënë Vuçiç.

Por, çfarë shkruan në skenarin e para-marrëveshjes Kosovë-Serbi?

Albanian Post, më 20 tetor ka publikuar skenarin e prezantuar për para-marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Pajtimi i parë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas këtij skenari duhet të arrihet më së largu deri me 24 shkurt. Serbia në këtë fazë s’ka nevojë ta ndryshojë Kushtetutën e saj. Njëjtë, Kosova duhet ta themelojë Asociacionin, por pa e ndryshuar Kushtetutën.

Asociacioni nuk do të jetë një OJQ, megjithatë, për momentin, nuk do të themelojë nivel të ri të pushtetit. Nëse arrihet pajtim, ka pako financiare. Nëse nuk arrihet, “shkop të rëndë” për palën penguese.

Ekskluzive: Kjo është rruga e para-marrëveshjes Kosovë – Serbi, gjithçka duhet të kryhet para datës 24 shkurt ose pason “shkopi i rëndë”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore