Kosova

Prokuroria kërkon paraburgim për ish-policin serb që u arrestua në Veri


Ndërtesa e Prokurorisë Speciale, Prishtinë

Prokuroria Speciale e Kosovës ka konfirmuar arrestimin e ish-policit serb nën dyshimet për veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, ndërsa ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Pirhstinë që t’i caktohet masa e paraburgimit.

Veprimet e të pandehurit, sipas komunikatës së prokurorisë, janë në kundërshtim me konventat e Gjenevës, dhe ligjet ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të armatosur në Kosovë.

“Dyshimet e Prokurorisë Speciale konsistojnë në faktin se i pandehuri S.T. së bashku edhe me persona të tjerë të uniformuar ka marr pjesë në ofensivën ushtarake të datës 06.04.1999, në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në ofensivën e datës 02.05.1999, në qytetin e Vushtrrisë”.

Në këtë rast, thuhet se i pandehuri në bashkëveprim edhe me persona të tjerë ka qenë i përfshirë në keqtrajtimin, maltretimin, plaçkitjen si dhe vrasjen e personave civilë dhe shpërnguljen më dhunë nga shtëpitë e tyre gjatë kohës së luftës.

“Si pasojë e këtyre veprimeve inkriminuese të të pandehurit, Prokuroria Speciale me qëllim të sigurimit të prezencës të të njëjtit në procedurë, ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamenti Speciale, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të njëjtit”

Ndryshe, Policia e Kosovës, të premten ka arrestuar një tjetër person nga komuniteti serb në Kosovë, nën dyshimet për krime lufte në periudhën e viteve 1999.

Në Mitrovicën e Veriut, përkatësisht në “Lagjen e Boshnjakëve” është arrestuar Sllagjan Trajkoviç, ish-pjesëtarë i Policisë së Kosovës.

Kujtojmë se serbët lokalë në zonat e banuara me shumicë serbe ngritën barrikada dhe bllokuan rrugët në disa lokacione të ndryshme që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë – Jarinjë dhe Bërnjak.

Ky veprim i tyre erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-pjesëtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiç, nën dyshimet për përfshirje në sulme terroriste kundër zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Gjatë ditëve të fundit ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave dhe shok-bombave, ndërsa gjatë patrullimit, një zyrtar i Policisë së Kosovës u plagos lehtë nga grupe të panjohura deri më tani nga autoritetet kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore