Gjykata Speciale

Prokuroria bën fajtore UÇK-në për “politikë dhe qëllime kriminale” – Çfarë po thotë Prokuroria Speciale në fjalën hapëse


Duke filluar nga ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit special, Alex Whiting, e tek fjalët e prokurorëve të tjerë, linja e sqarimit në fjalinë hapëse të prokurorisë ka qenë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur qëllime kriminale dhe ka ndjekur politikë të shenjëstrimit të kundërshtarëve.

Sipas prokurorisë, ishte Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, që si udhëheqës të kësaj politike të eliminimit të kundërshtarëve kanë dhënë urdhrat.

Në fjalën e Alex Whiting është bërë e qartë se akuzat rëndojnë mbi UÇK-në si strukturë, meqë ka thënë se ishte një politikë e strukturuar dhe e përbashkët.

“Provat do të tregojë që katër të akuzuarit mbështeten dhe zbatuan një politikë që vinte në shënjestër ata persona që konsideroheshin si kundërshtarë, shpesh të mbështetur në asgjë. Si dhe personat e perceptuar si jo mbështetës të qëllimeve të UÇK-së.

“Ata që konsideroheshin si kundërshtarë ishin anëtarë të LDK-së dhe persona me përkatësi etnike serbe. Kjo politikë synonte burgosjen, keqtrajtimin dhe ndonjëherë vdekjen e kundërshtarëve”, tha krye-prokurori.

“Aktakuza përfshinë me qindra burgosje në mbarë Kosovën zakonisht në kushte të tmerrshme. Shumica e viktimave të akuzuarve ishin shqiptarë të Kosovës”, tha krye-prokurori duke shtuar se “për të eliminuar ata që i konsideronin si kundërshtarë të akuzuarit zbatuan një politikë” të caktuar.

“Për vërtetimin e këtyre krimeve do ta paraqiten provat, dokumente të siguruara nga vendndodhje dhe burime të ndryshme, dhe dëshmitarë që do flasin për krime dhe strukturën e UÇK-së. Krimet ishin të shumta, si në gjeografi ashtu edhe në kohë”.

“Lidhur me strukturën e UÇK-së do të nevojitet prishja e një niveli fshehtësie që ishte si gjatë luftës ashtu edhe pas saj”, shtoi kryeprokurori.

“Sjellja kriminale që do ta vërtetojmë është e thjesht. Shtabi i përgjithshëm i UÇK-së përqafoi në komunikimet dhe deklarimet e veta një politikë të shënjestrimit të bashkautorëve dhe atyre që konsideroheshin tradhtarë. Katër të akuzuarit u përfshinë në zbatimin e kësaj politike”.

“Provat do të tregojnë se politika e shpallur u vu në jetë. Që nga fillimi e deri në fund të luftës pati një praktikë targetimi të kundërshtarëve, kjo konfirmonte udhëzimet e shprehura nga lartë nga katër të akuzuarit. Ajo që do të tregojnë provat është se ndërkohë që u ndoq një fshehtësi për funksionimin e UÇK-së, qëllimi kriminal i përbashkët nuk ishte aspak i fshehtë. Mesazhi i përsëritur vazhdimisht se kush pretendoi se ishte tradhtarë përbënte rrezik ekzistencial kundër UÇK-së”.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Prokurori vazhdoi me shpalosjen e argumentimeve të tij hapëse.

“Krimet kundër kundërshtarëve vijuan. Përse e bënë këtë? Përse I kryen të akuzuarit këto krime? Provat do të kërkojnë se e bënë për të fituar pushtet. Mund t’i kenë kryer nga frika se kauza e tyre mund të zhbëhej nga kundërshtarët e tyre. Mund t’i kenë kryer edhe nga urrejtja apo hakmarrja, do të shihni prova nga këta dy faktorë zoti Gjykatës”.

“Kjo çështje gjyqësore ka të bëjë më sundimin e ligjit në kohë lufte. Për këtë jemi këtu sot. Në kohë lufte rreziku mund të bëj që përdorimi i mjeteve të paligjshme për hir të kauzës. Pikërisht për këtë arsye i keni ligjet e luftës për të parandaluar instinktet më të këqija”.

“Në fund dëshiroj ta mbyllë me një pikë për të cilën pajtohemi të gjithë. I takon Prokurorisë për të provuar çdo akuzë. Këtë barrë e pranojmë dhe kemi për ta realizuar në këtë çështje gjyqësore. Por për aq sa të akuzuarit të kenë folur, fjalët e tyre duhet të merren në konsideratë nëse kanë bërë pohim apo mohime të rreme. Hashim Thaçi erdhi disa herë në Hagë për t’iu dhënë prokurorëve një intervistë të zgjatur. Gjatë këtyre intervista ai mohoi shumëçka lidhur me rolin e tij gjatë luftës dhe rolin e Shtabit të Përgjithshëm”.

Ndërkaq, prokurori i specializuar, Matthew Halling, bëri një historik se si u krijua UÇK-ja. Ai tha se UÇK-ja buroi nga Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK) që “besonte se liria për shqiptarët mund të fitohej vetëm përmes forcës” dhe ishte në kundërshtim me politikën që ndiqte Lidhje Demokratike e Kosovës dhe kryetari i saj, Ibrahim Rugova, që besonte në rezistencë paqësore ndaj Serbisë.

Ai po ashtu përmendi disa prej deklaratave të bëra nga të pandehurit më herët në media, lidhur me Shtabin e Përgjithshëm dhe vetë UÇK-në, duke prezantuar edhe intervista të dhëna për gazeta të ndryshme. Thaçi, Veseli dhe Selimi, sipas prokurorisë, themeluan “Shtabin e Përgjithshëm dhe e nisën këtë Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale” kurse “Krasniqi ishte anëtar i Drejtorisë Politike, pra zëdhënës i UÇK-së”.

Prokurori Halling vazhdoi me deklaratën hyrëse, duke thënë se gjatë intervistimit në Hagë nga prokurorët e specializuar, Rexhep Selimi, ka konfirmuar postet që katër të akuzuarit kanë pasur gjatë luftës në Kosovë. Më pas ai lëshoi një pjesë të intervistë në Hagë, ku Selimi flet se kush i shkruante komunikatat e UÇK-së dhe kush ishte përgjegjës për mesazhin që duhej nxjerrë në publik.

“Në një intervistë tjetër, Selimi e përshkruan 1997-ën si një fazë të zhvillimit të strukturave të UÇK-së. Në vitin 1997 UÇK-ja arriti në një pikë ku mund të kryente sulme të orkestruara ndaj Ushtrisë serbe në të njëjtën kohë. Provat treguan se UÇK sulmoi 12 stacione të policisë me granatahedhës. Provat tregojnë se sulmi u organizua nga Rexhep Selimi teksa u ndihmuan nga Thaçi dhe Veseli për të siguruar armët”, tha Halling.

Sipas Halling, Thaçi në fundin e vitit 1998 kishte marrë drejtimin e Drejtorisë Politike të UÇK-së, Veseli kishte qenë përgjegjës për Drejtorinë e Zbulimit, Selimi ishte Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Krasniqi ishte Zëdhënës i UÇK-së, duke shtuar se Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte kompetenca, autoritet dhe ndikim që ia bënë të mundur të kryenin “Krime të Përbashkëta”.

Edhe prokurorë të tjerë kanë ndjekur këtë linjë, duke provuar të dëshmojnë se UÇK-ja ishte shumë e organizuar dhe përcjellte vijë të qartë të hierarkisë në marrjen e vendimeve dhe dhënien e urdhrave.

Fjalimet hapëse nga prokuroria do të jenë të gjata 5 orë.

Siç ka shpjeguar gjyqtari i Speciales, këto deklarime nuk merren parasysh si prova gjatë gjykimit, por ato vetëm përbëjnë një fjalë hapëse për gjykimin.

Akuza

Akuza e parë që rëndon mbi Thaçin dhe të tjerët është që “përmes veprimeve dhe mosveprimeve të Thaçit dhe të tjerë me anë të pjesëmarrjes së tyre në ndërmarrje të përbashkët kriminale kryen ose ndihmuan dhe inkurajuan krime të paraqitur në këtë akuzë”.

Gjithashtu, sipas prokurorisë “Thaçi dhe të tjerët janë përgjegjës si eprorë për krime të kryera nga vartësit e tyre”.

Prokuroria tha se “Thaçi dhe të tjerët dinin ose kishin arsye të dinin se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë ishin në prag të kryerjes së tyre ose ishin kryer nga vartësit e tyre, por nuk morën masat e nevojshme për parandalimin e atyre krimeve”.

Seanca në Gjykatën Speciale.

Prokuroria ka lexuar edhe një herë aktakuzën e cila ka pësuar disa ndryshime.

“Thaçi dhe të tjerët kanë personalisht përgjegjësi penale për përndjekje për arsye politike ose etnike, (krim kundër njerëzimit), burgosje (krim kundër njerëzimit), arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar (krim lufte), akte të tjera çnjerëzore (krim kundër njerëzimit), trajtim mizor (krim lufte), torturë (krim kundër njerëzimit), vrasje e paligjshme (krim kundër njerëzimit), zhdukej të personave (krim lufte)”.

Pas prezantimit të aktakuzës, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë pyetur për qëndrimet e tyre fillestare.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi që të gjithë janë deklaruar të pafajshëm.

Veseli përtej deklarimit ka shprehur pakënaqësi me vonesat, derisa Krasniqi pohoi se “e kam vështirë ta kuptoj këtë aktakuzë”, sepse “s’kam lidhje me asnjë nga pikat që i lexoj prokuroria para pak kohe”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore