Shqipëria

Prokurorëve u rrezikohet jeta nga bandat kriminale – Balla, Dumani dhe Rrumbullaku takim në KLP


Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë po zhvillohet një takim, ku pjesëmarrës janë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe drejtuesi i Gardës së Republikës, Gramoz Sako.

Fokus i takimit: riorganizimi i mbrotjes së prokurorëve që u rrezikohet jeta nga grupet kriminale.

Mbledhja vjen pasi Policia e Lushnjës bëri me dije se është marrë në mbrojtje ish-prokurorja, Merita Selimi.

Emri i saj u përmend në dëshminë e të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani.

Ky i fundit shprehej se ish-prokurorja do të ekzekutohej nga grupi i Laert Haxhiut.

Më herët, autoritetet shqiptare morën në mbrojtje prokuroren e SPAK-ut, Doloreza Musabelliu, me kërkesë të kreut të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Vendimi është marrë sërish pas dëshmisë së Tafanit se Haxhiu dhe banda e tij po planifikonin t’i bënin atentat.

Dumani i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë që të marrë masa shtesë për mbrojtjen e prokurores dhe familjes së saj.

Dëshmia e Tafanit ka arritur të zbardhë detajet e atentatit, i cili po planifikohej nga anëtarët e bandës së Laert Haxhiut ku përfshihej edhe eliminimi i avokatit, Adriatik Doga, dhe ish-prokurores, Merita Selimi.

“I kemi ndjekur. Laerti ka dashur të sulmojë Doloreza Musabelliun, pasi ishte prokurorja e çështjes së tij në SPAK. Kjo prokurore kishte dënuar me burgim të përjetshëm shokët e tij Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin. I kemi mbajtur nën vëzhgim dhe familjet e tyre. Laerti, pretendonte se nuk kishte lidhje me ngjarjen dhe se kjo prokurore po i bënte gropën. Atij ju fiksua që ta vriste prokuroren ose ndonjë njeri të afërm të familjes”, rrëfeu Tafani.

Sipas tij, anëtarët e bandës i kanë bërë foto prokurores, burrit dhe fëmijëve të saj.

“Laerti tha se fotot e fëmijëve duhet më parë t’ia nisnim burrit të prokurores për të parë se çfarë ndikimi dhe reagimi do sillte”, deklaroi në vijim i penduari Tafani.

Kujtojmë që, Selimi ishte prokurorja që hetoi Laert Haxhiun, Orgest Bilbilin dhe Anterio Kaloshin për masakrën e vitit 2017 në Lushnjë.

Asokohe mbetën të vrarë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, ndërsa u plagosën Bujar Turku dhe Marjus Xhepexhiu.

Pas dy viteve hetime, Selimi shpalli moskompetencën duke sjellë dosjen ndaj tre të pandehurve në SPAK.

Prokurorja e Lushnjës në muajin korrik u shkarkua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK).

Çështjen e mori prokurorja Doloreza Musabelliu, e cila ka ende në fazë gjykimi Laert Haxhiun.

Pas prokurores së SPAK-ut merret në mbrojtje edhe ish-prokurorja e Lushnjës, Laert Haxhiu planifikoi t’i vriste

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore