Shqipëria

“Procesi integrues na miqësoi shumë me Shqipërinë”, “Kosova të futet në Open Balkan” – Intervistë e AP-së me Bujar Osmanin, ministër i Jashtëm i MV-së


Foto nga Albanian Post: Bujar Osmani, minister i Jashtem i Maqedonise se Veriut

Një dokument i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, që më pas u njoh si “propozimi francez”, doli të jetë çelësi që çbllokoi Maqedoninë e Veriut nga vetoja e Bullgarisë e bashkë me të edhe Shqipërinë që kishte mbetur peng i këtij ngërçi dhe përfundimisht u hapën negociatat me Bashkimin Evropian për të dyja vendet.

Por, rrugëtimi i mundimshëm që nganjëherë ngjante si luftë me mullinjtë e erës, nuk i ka antagonizuar, por vetëm afruar Maqedoninë e Veriut e Shqipërinë.

Kështu thotë, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, në një intervistë ekskluzive për Albanian Post, kur pyetet rreth rrugëtimit shumëvjeçar bashkë me Shqipërinë drejt synimit të avancimit në rrugën e integrimit evropian.

Valët paraprake të zgjerimit konfirmojnë se kur vendet në pako negociojnë me BE-në rritet bashkëpunimi i tyre dhe tërheqja e ndërsjellë”, deklaron kryediplomati që pak vite më parë ishte edhe zëvendës-kryeministër i Maqedonisë së Veriut (MV) me angazhim special për Çështje Evropiane.

“Kjo krijon edhe besim dhe miqësi të dyanshme, siç është rasti me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Procesi integrues vetëm kontribuon në rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat”.

Ai kujton edhe marsin e vitit 2020, kur pas një akordi me Greqinë për emrin, Maqedonia e Veriut u bë anëtari më i ri i NATO-s. Siç thotë Osmani, roli i qeverisë shqiptare ishte jetik.

“Kujtoj se Shqipëria ishte një nga mbështetësit kryesor të Maqedonisë së Veriut gjatë procesit të saj euroatlantik, i cili rezultoi edhe me anëtarësimin tonë në NATO”.

Por, rrugëtimi i përbashkët deri këtu, s’është e thënë se do jetë i tillë edhe në të ardhmen. Shqipëria e Maqedonia e Veriut kapitujt e parë i hapin bashkë, por ecuria do diktohet nga shtetet veç e veç.

“Me fillimin zyrtar të negociatave dhe hapjen e kapitujve dhe klastereve të para, progresi i tyre do të varet nga vetë vendet kandidate dhe shkalla e tyre e përkushtimit ndaj agjendës së brendshme të reformave (BE)”, deklaron Osmani për AP, megjithatë, ai shton se “edhe në këtë proces mund të ndihmojë bashkëpunimi i ndërsjellë”.

Tensionet në Maqedoni

Votimi per Propozimin Francez

Me 16 korrik, 68 deputetë (përfshirë të gjithë deputetët shqiptarë) votuan pro Propozimit Francez në Parlamentin e MV-së si parakusht për hapje të negociatave.

Propozimi kaloi, por jo gjithçka shkoi vaj.

Pati protesta dhe opozita maqedonase, në krye me liderin e VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, kundërshtuan ashpër.

Propozimi parashihte – pos tjerash – që bullgarët të njihen nga Kushtetuta maqedonase si kombësi e barabartë me të tjerët dhe gjithashtu që Bullgaria në asnjë fazë të anëtarësimit nuk do ta njoh ekzistencën e gjuhës maqedonase.

Këto kushte, thotë opozita në MV, janë tjetërsim i identitetit maqedonas.

Por Osmani, veçse mohon këtë pretendim, është edhe optimist. Pohon se kundërshtimi më shumë ka të bëjë me mjegullën e paqartësisë që është krijuar në raport me atë se çfarë u propozua nga Franca.

“Besoj se kur të qetësohen pak tensionet dhe ngarkesa emocionale e shkaktuar nga gjysmë informacionet dhe keqinterpretimet e propozimit francez, shumë shpejt do të nis procesi i pajtimit politik dhe do të ulet tensioni politik në vend”, deklaron ai.

“Një nga prioritetet e padiskutueshme të politikës së jashtme dhe interesi strategjik, i apostrofuar edhe në narrativen bazë të të gjitha partive politike, është integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut. Për këtë çështje ka pasur gjithmonë një konsensus dhe sinqerisht pres që elitat politike të gjejnë një mënyrë për të siguruar mbështetje”.

Tek e fundit, vëren Osmani, “asnjë parti nuk duhet të jetë frenues në rrugën tonë drejt anëtarësimit të plotë në BE”.

Prandaj, është i bindur që kur të fillojë hapja e kapitujve dhe do të duhen 2/3 në Kuvend, apo 80 deputetë, të gjithë do jenë të gatshëm të votojnë.

“Kjo sidomos, për faktin se ne jemi demokraci funksionale multietnike dhe nuk ka absolutisht asnjë arsye, asnjë justifikim që të mos lejojmë që përveç maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, romëve, turqve, vllahëve dhe boshnjakëve, në Kushtetutë të përfshihen edhe malazezët, bullgarët dhe kroatët. Me këtë akt jo vetëm që e valorizojmë maksimën e BE-së – të bashkuar në shumëllojshmëri”.

Osmani për Ballkanin e Hapur: Përfshirja e Kosovës në këtë inciativë s’do ishte e dëmshme për të, përkundrazi

Flamujt e shteteve themeluese te Open Balkan

Maqedonia e Veriut, bashkë me Shqipërinë e Serbinë, është themeluese e iniciativës rajonale Open Balkans, apo siç njihej fillimisht mini- Schengen.

Deri tani, përveç këtyre tri shteteve, nga gjashtë sa përbëjnë atë që njihet si Ballkani Perëndimor, pos Kosova e refuzon nismën kategorikisht – Mali Zi e Bosnja dhe Hercegovina kanë pranuara të marrin pjesë të paktën si vëzhgues.

Një deklaratë e Osmanit për refuzimin e Kosovës kishte bërë bujë. Ai pati deklaruar se po të ishte Ballkani i Hapur i dëmshëm për Kosovën, Maqedonia e Veriut s’do merrte pjesë.

Njëjtë mendon edhe sot.

Duke folur për Albanian Post, deklaron se “ne e respektojmë qëndrimin e Kosovës lidhur me iniciativën, duke mos konsideruar se përfshirja e saj do të ishte e dëmshme për të. Përkundrazi”.

Kirurgu-politikan i sheh veç të mira Open Balkan-it.

“Janë mbi 70 nisma në rajon, secila me kontributin e vet për të qenë një vlerë e shtuar për thellimin e bashkëpunimit. Dhe këtë nismë të fundit e shoh në atë kontekst, pa neutralizuar efektin e nismave të tjera rajonale tashmë ekzistuese”.

Ai nismën e ndërlidhë shumë me “bashkëpunimi biznesor dhe ekonomik”.

“Fokusi i Open Balkans në pjesën më të madhe është mbi bashkëpunimin ekonomik, lëvizjen e lirë të qytetarëve, të kapitalit, të mallrave dhe shërbimeve”, thotë.

Se sa do ketë sukses, Osmani konsideron se “do të varet nga atraktiviteti për t’i tërheq të gjashtë vendet”.

“Po, është detyrimi ynë, kushtimisht thënë, i themeluesve të iniciativës, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë për t’i dëshmuar vlerat e kësaj nisme”.

Osmani e mbyll intervistën me AP-në me atë që e ka thënë edhe më parë – në disa raste – se “ekzistenca e Ballkanit të Hapur do të ketë kuptim vetëm nëse nuk është zëvendësues i procesit të integrimit evropian dhe nëse arrin të jetë gjithëpërfshirës në raport me pjesën tjetër të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore