Lajme

Kuvendi maqedonas miraton propozimin francez


Ka marrë fund maratona e diskutimeve në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut sa i takon aprovimit të propozimit francez për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë.

Pro miratimit të propozimit votuan plot 68 ligjvënës, ndërsa opozita braktisi sallën ashtu siç kishte paralajmëruar.

Ndërkohë, jashtë Kuvendit ndodhen deputetët e VMRO-DPMNE-së së bashku me protestuesit, që po gjuajnë me vezë dhe letra.

Kjo në një shenjë proteste kundër miratimit të propozimit.

Debati në Kuvend ishte i mbushur me kundërshtime, që çuan deri në përplasje fizike. Gjatë gjithë kohës deputetët e partisë opozitare penguan deputetët e partive në pushtet që të mbajnë fjalimet e tyre.

Rrugëtimi

Me këtë vendim ashtu siç parashikoi edhe Komisioneri për Zgjerim, Oliver Varlehy, hapet rruga për çeljen e negociatave për Shqipërinë dhe RMV-në me Bashkimin Evropian.

Më 30 qershor 2022, ishte kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, ai i cili bëri me dije për publikun se e kishte pranuar propozimin e ardhur nga Elysse-ja dhe presidenti francez Emmanuel Macron.

Mbi këtë propozim nga ana tjetër, më 22 qershor 2022, u nda tërësisht në mes Parlamenti i Bullgarisë, i cili nëpërmjet një mocioni mosbesimi, rrëzoi Qeverinë bullgare dhe më pas hoqi veton ndaj Shkupit, duke lehtësuar situatën mes dy vendeve.

Nga Tirana, ishte kryesiministri Edi Rama, i cili me një presion të vazhdueshëm ndaj ndërkombëtarëve, bënte thirrje për çlirimin e ngërçit ndaj dy vendeve.

Opozita maqedonase është ajo e cila befas, u zgjua dhe nisi protesta të shumta në javën e fundit kundër kalimit të propozimit francez.

Teksa, thirrje maqedonasve për pranimin e propozimit të Macron, ka bërë së fundmi edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka qenë tërësisht e investuar në këtë çështje prej fillimit të ngërçit, për gjetjen e një zgjidheje.

Çfarë përmban propozimi francez?

Drafti i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut, ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe.

Kushti i dytë është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”.

Po ashtu duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij.

Në të shkruhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia e Veriut respekton marrëveshjet.

Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore