Lajme

Procesi i vaksinimit në Kosovë konsiderohet histori suksesi


Qendra e vaksinimit.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka vizituar depon e vaksinave në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) në ditën botërore të Shëndetësisë.

Drejtori i këtij instituti Naser Ramadani, e konsideroi si histori suksesi procesin e vaksinimit në Kosovë.

“Vaksinimin mund ta  shënojmë sot në ditën botërore të shëndetit si storie tejet e suksesshme për popullatën e Kosovës, ku i kemi arritur objektivat tona dhe po vazhdojmë me të njëjtin intensitet  të punojmë edhe më tutje pa u ndalur dhe ekipet pa pushuar fare në mënyrë që të realizojë të gjitha objektivat e mbikëqyrjes së përgjithshme të Covid-19 deri në përfundimin defenitiv”, tha ai.

Kryetarja e këtij Komisioni, Fatmire Kollçaku, kërkoi nga qytetarët që të vaksinohen, pasi tha se ka një rënie të lehtë dhe ka mjaftueshëm vaksina.

“Duke i falënderuar drejtorin dhe gjithë stafin e IKPSHK dhe degëve rajonale për gjithë punën e bërë në këto dy e që jemi në vitin e tretë të pandemisë në nivel global dhe epidemisë në nivel vendi, fatmirësisht me një situatë shumë më të qetë epidemiologjike”.

“Me një mesazh nga ky vend, është evidente që kemi rënie të kërkesës për vaksinim ndërsa vaksina ka mjaftueshëm siç e kuptuam sot dhe i ftojmë të gjithë qytetarët që nuk e kanë shfrytëzuar këtë të drejtë që të vaksinohen”.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Ndërsa, deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu kërkesë nga institucionet pati që punëtorët shëndetësorë të kenë një përkushtim më të madh.

“Dua të jap një falënderim të veçantë për të gjithë punëtorët shëndetësorë anekënd Kosovës  të cilët tani e dy vite kanë qenë në krye të detyrës me një përkushtim maksimal. Ftoj institucionet shtetërore që të kthejnë kokën kah punëtorët shëndetësorë dhe të mbështesin ata sepse mbrojtja e shëndetit  pa profesionist  të mirëfilltë shëndetësorë  nuk mund të arrihet. Këtë na e kanë dëshmuar më së miri gjatë kësaj pandemie më së miri të gjithë profesionistët shëndetësorë”, tha Haxhiu.

Sipas tij, investimi në parandalimin e sëmundjeve po bëhet vetëm kah trajtimi por jo edhe parandalimi i sëmundjeve.

“Ne si komision parlamentar për shëndetësi kemi ardhur të vizitojmë në ditën botërore të shëndetit por edhe për të quar edhe një mesazh tjetër që duhet të investohet më shumë në parandalimin e sëmundjeve sepse po thuajse shumica e buxhetit të shtetit po shkon vetëm kah trajtimi. Sot morëm informatën se ka më shumë se 800 mijë doza të vaksinës në stok bëj apel për të gjithë qytetarët që të vaksinohen”.

Më 6 prill, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka bërë të ditur se janë regjistruar 29 raste pozitive me COVID-19 në Kosovë.

Numri i të infektuarve vjen nga 810 mostra të marra nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve janë shëruar gjithsejtë 36 persona.

Raste aktive me COVID-19, janë gjithsejtë 538 persona.

Ndërkaq, 820 mijë e 842 persona janë vaksinuar me dozën e dytë të vaksinës.

Me dozën e tretë përforcuese janë vaksinuar 100 mijë e 387 persona.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore